Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Margaritis Schinas ripërsëriti mbështetjen e fortë të BE për Ballkanin Perëndimor në Konferencën “Roli i lajmeve në realitetin e ri ballkanik” të zhvilluar në Selanik, Greqi.
Schinas, i cili ka edhe portofolin e Komisionerit Europian për Promovimin e Mënyrës Evropiane të Jetesës, pohoi se këtë mbështetje e dëshmoi fort dhe organizimi në Tiranë i Samitit të Bashkimit Europian për herë të parë jashtë Brukselit.
Duke i’u referuar luftës së Komisionit Europian kundër dezinformimit Zëvendëspresidenti i KE tha se “ne po bëjmë sa mundemi për të afruar Ballkanin Perëndimor, por *manipulimi dhe keqinformimi i debatit publik nga influeca malinje të huaja nuk ka qenë kurrë më i pranishëm në Ballkanin Perëndimor se sa sot. Në luftën ndaj këtij fenomeni shoqëria civile dhe media kanë rol kyç*”.
Në panelin e Konferencës së Selanikut e ftuar për të dhënë opinionet e saj ishte dhe Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi.
“Jemi dëshmitarë se paralel me vërshimin informativ ecën dhe çrregullimi informativ, që stimulon dezinformimin dhe propagandën, duke i paketuar ato si produkte mediatike për publikun”, nënvizoi Krasniqi, e cila shtoi se Inteligjenca Artificiale duhet përdorur si hov për zhvillimin e lirive dhe jo në dëm të tyre.
Kryetarja e AMA-s theksoi se *Ballkani Perëndimor duhet të përfitojë nga aktet më të fundit që ka miratuar dhe do miratojë BE-ja në fushën e medias, sikurse është, Akti Europian për Lirinë e Medias, Direktiva për Shërbimet Dixhitale, Lufta kundër Dizinformimit dhe Rekomandimi për Mbrojtjen e Gazetarëve, si instrumente shumë të vlefshëm për të cilët nuk ka pse të pritet për implementimin e tyre deri kur të anëtarësohemi në familjen europiane*.
Mbështetjen e Greqisë për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën europiane të rajonit e shprehu edhe Zëvëndësministri i Maqedonisë dhe Thrakisë, Stavros Kalafatis. Kalafatis, duke u ndalur tek rëndësia e lajmeve, bëri apel për një front të bashkuar kundër dezinformimit.
Gjithashtu në panel mbajti fjalën e tij edhe Sekretari i Përgjithshëm për Komunikim dhe Informim në Greqi, si dhe profesionistë të fushës së medias, përfaqësues të botës akademikë dhe njohës të zhvillimeve më të fundit në këtë sektor.