Nga Jakin Marena/
Partia Demokratike as në prag në zgjedhjeve të 14 majit, dita kur do përballen me PS e drejtuar nga Edi Rama në betejën për pushtetin vendor, s’arriti të gjejë gjuhën e përbashkët mes palëve. Qoftë dhe për të hyrë si aleatë në këto zgjedhje, pra për të dalë me kandidatë të përbashkët në 61 bashkitë e vendit dhe me lista kandidatësh për këshilltarë për secilën palë, nuk arritën në një kompromis të fundëm.
Teksa skadon afati i dorëzimit të listave të kandidatëve për kryetarë bashkie e këshilltarë në orën 24.00 të natës, PD zyrtare e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, e ka ndarë mendjen për të dalë me kandidatët e vet në njësitë vendore të Shqipërisë. Ndoshta me disa përjashtime, si Durrësi, Elbasani, Shkodra apo ndonjë bashki tjetër, që mund të mbështeten kandidatët e “promareve”. Kishte disa dilema në forumet e strukturat drejtuese të PD, por dhe debate të forta, me propozime të tilla që, të mbështeteshin kandidatët e primareve të Berishës sidomos në bashkitë e mëdha, duke filluar nga Tirana, e vazhduar me Durrësin, Elbasanin, Shkodrën, por dhe Lezhën, Fierin, Korçën. Por në fund të herës dominoi gjykimi e vendimi i kryesisë dhe i kolegjit të kryetarëve të degëve të PD në bazë, të cilët ekzistencën si parti politike të PD cilësonin pjesëmarrjen me kapacitet afërsisht të plotë në garën për pushtetin vendor më 14 maj. Pra me afër 61 kandidatë për kryetarë bashkie dhe me kandidatët për këshilltarë. Dhe kishin të drejtë në këtë vendim, pavarësisht rezultatit që pritet të marrë në zgjedhje. Fundja janë komodë, vendi i parë është i zënë nga Rama sipas të gjitha gjasave pothuajse në 61 bashkitë e vendit. Opozita lufton për vendin e dytë dhe kush do të kalojë në vendin e tretë në renditjen e fundore të ‘rang-listës’ së partive politike në Shqipëri. Beteja është brenda llojit për numrin dy!
Berisha qëndroi stoik në vendimin e tij për të mos pasur asnjë bashkëpunim me PD zyrtare, duke akuzuar Alibeajn e pas tij Bashën se po bashkëpunojnë me Edi Ramën për të zhdukur opozitën. Kreut të “Rithemelimit” nuk i del e keqja me drejtuesin e komanduar të PD që dhe me vendim të gjykatës së Apelit i mori vulën e logon e partisë. Duke e detyruar Berishën që të gjëjë “strehim” për të regjistruar kandidatët dhe këshilltarët e vet nën “çatinë” e Ilir Metës e të Partisë së Lirisë. Nuk e përtyp dot një ‘turp’ të tillë Berisha, ndonëse e mban veten me gajret se demokratët do ta kuptojnë këtë përthithje të panatyrshme të votave të tyre nga ana e partisë së Ilir Metës.
Demokratët nuk e duan Metën, megjithëse më 15 maj ai do të jetë fituesi real i këtyre zgjedhjeve, pasi do të marrë rezultat maksimal, në kurriz të grupimit më të madh të PD, “Rithemelimit”. Dhe është vetë kreu i këtij grupi brenda PD, Sali Berisha ai që bën thirrje në drejtim të bazës që të votojnë kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i cili kryesohet nga Partia e Lirisë dhe nuk ka në asnjë cep siglën e PD. Madje as të “Rithemelimit”.
Ndërkohë që nga PD zyrtare, qoftë nga Alibeaj qoftë nga Bardhi, qoftë dhe nga Tabaku dhe emra të tjerë të këtij grupimi të mbetur në PD, është bërë thirrje deri në momentet e fundit në drejtim të kandidatëve të primareve që të garojnë nën siglën e PD, me argumentin se s’mund imagjinohet fakti që demokratët të hyjnë në zgjedhje me siglën e PL të Metës, një parti e majtë që ka gërryer elektorat nga partitë e mëdha, sa herë që ka pasur koalicion me ta.
Pavarësisht zërave, lëkundjeve dhe deklaratave që të këtë një kandidat unik, një ftesë indirekte e kandidatëve të “Primareve” për PD-në e Alibeajt që të mos i “çiftojnë” me kandidatë nga PD zyrtare, asnjë prej kandidatëve të Berishës nuk ka deklaruar kandidimin nën siglën e “partisë mëmë”, nën të cilën kanë garuar për 32 vite me radhë.Këtu ka kontribuar fort dhe Berisha e mbështetësit e tij në kupolën e “Rithemelimit” të cilët kanë kërcënuar çdo kandidat të “primareve” që të mos e ndërmarrin një hap të tillë. Madje Berisha ka deklaruar se “me ndarjen nga Alibasha, partia është bërë më e e fortë dhe rezultati pozitiv e fitues është i sigurtë përballë Ramës”.
Tashmë PD është ndarë përfundimisht, dhe Alibeajt nuk i mbetet asgjë tjetër vetëm të nxjerrë të gjitha kandidaturat për kryetar bashkie e këshilltarë bashkiakë, për të dërguar listat për regjistrim në KQZ dhe për të filluar me kapacitet të plotë fushatën në të gjithë vendin. Ndonëse mbetemi skeptik nëse do të jenë kandidatura të mirëmenduara apo të “minutës së fundit’, akoma më kaq nëse nuk gjen emra për trë mbuluar të gjitha bashkitë me kandidatë, pasi shumë emra kanë refuzuar të jenë kandidatë humbës që të garojnë për PD-në me vulë në qendër por pa mbështetje në bazë, Alibeaj bëri publik emrin që do të garojë përballë Veliajt dhe Këlliçit të koalicionit Berisha-Meta. Ai është anëtari i kryesisë dhe ish deputeti Roland Bejko. E bashkë me ta dhe disa nga emrat e tjerë që garojnë për PD.
Përtej parashikimeve se sa është mbështetja për PD zyrtare të Alibeajt, i cili për hir të së vërtetës lë shumë për të dëshiruar, ka ‘justifikim’ pasi është kryetar i komanduar i një partie të tronditur nga konflikti e përçarja dhe e sapodalë nga beteja ligjore për vulën dhe siglën e PD, ky grupim nuk është se nuk ka vota. Në përballjen e 6 marsit të vitit të kaluar në 6 bashkitë e vendit të mbetura pa kryetar, me gjithë kohën e shkurtër në dizpozicion, me gjithë revanshin e Berishës qëi ishte në atë kohë në ‘zenith’ pasi ishin momentet e para të euforisë së marrjes së shumicës në PD, Alibeaj ia doli që të marrë 13-16 përqind të votave në zgjedhje, çka korrespondon me mbi 40% të mbështetjes së elektoratit të djathtë opozitar. Pavarësisht se doli parti e tretë pas aleancës së krijuar mes Metës e Berishës. Por ama ishte faktor.
Tashmë që kanë rrjedhur shumë ujra, për më tepër që dhe anëtarësia e PD është “ftilluar’ mbi arësyen e vërtetë të rikthimit të Berishës për të rimarrë PD pas 9 vitesh, teksa ishte shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe më vonë nga Britania dhe u përjashtua prej Bashës nga grupi parlamentar i PD dhe më pas nga vetë partia, lider historik i së cilës është. Demokratët janë ndërgjegjësuar dhe e kanë kuptuar se Berisha e ndau PD-në përgjysmë dhe mori drejtimin e pjesës më të madhe të saj, thjeshtë e vetëm për hallin e tij personal. Për të përballuar izolimin nga partnerët ndërkombëtarë dhe drejtësinë, e cila ka disa dosje të rënda me zullumet e tij në dorë, ku një ditë do të shprehet për to. Pra e përdori PD për ‘mburojë’ politike. Për këto arsye ka shumë demokratë që janë stepur dhe nuk dinë kë të votojnë, ka shumë të djathtë simpatizantë e mbështetës të PD, të cilët mund të japin votën për PD e Alibeajt dhe kandidatët e tij, apo për ndonjë parti tjetër opozitare ose mund të rrinë në shtëpi më 14 maj. Duke refuzuar të votojnë siglën e PL të Metës, anipse kandidatët për kryetar bashkie janë të Berishës.
Por dhe sikur opozita të ishte e gjitha e bashkuar, sërish nuk do të fitonte shumicën e bashkive në vend apo të këshilltarëve bashkiakë, përballë Edi Ramës. Ndërkohë që në kushtet kur është e fragmentuar, dhe realisht për secilën bashki minimumi do të dalin tre kandidatë, një i PS, një i PD të Alibeajt dhe një i aleancës Meta-Berisha, jo vetëm që shanset për fitore janë zero, por mund të përjashtohet dhe mundësia për të fituar ndonjë bashki në rang vendi. Pasi lufta, sikurse duket dhe në këto momente, më shumë se ndaj kandidatëve të PS, është mes kandidatëve të vetë opozitës, që do masakrojnë njëri tjetrin. Qoftë dhe një grusht vota të marrë një kandidat rival, i Alibeajt apo Berisha-Metës në kushtet kur opozita më 14 maj hyn në zgjedhje e shpartalluar nga armiqësia e thellë brenda grupimeve në PD dhe të gjithë bashkë ndaj partisë së Metës, ndikon më tej në thellimin e balancave me kandidatin socialist. Mazhoranca socialiste i ka shanset e plota në të gjitha bashkitë për të realizuar një fitore rekord. Pra opozita ka shanse zero për të kaluar numrin ‘pesë’ të bashkive të fituara.
Megjithëse palët në PD e kanë alibinë e humbjes, “shitjen” reciproke te Rama apo bërja e lojës së kryeministrit aktual dhe armiqtë në dizpozicion “Alibashët”, ajo që shqetëson më shumë popullin opozitar është se çfarë do të bëhet pas 15 majit, kur të dalë rezultati humbës i opozitës, dhe sa mundësi rikuperimi do të ketë për palët e përfshira në konflikt brenda PD. Shanset më të mëdha për rritjen graduale i ka PD zyrtare, e drejtuar nga Alibeaj, nuk është habi që të vijë dhe Lulzim Basha në krye të saj. Mund të “shkrihet’ dhe nuk e ka për herë të parë, shmang dhe kasavetet e procedurave, duke qënë se figuron në gjykatë ende si kryetar i PD. Demokratët do të arrijnë të kuptojnë se me një ‘non grata’ nga SHBA dhe të akuzuar zyrtarisht për korrupsion si Sali Berisha ata nuk kanë të ardhme. Pra do vijojnë të qëndrojnë në opozitë pafundësisht. Ndaj mund të lëvizin brenda opozitës, por në drejtim të PD zyrtare. Ndërkohë që grupimi i Berishës, në kushtet kur nuk ndjehen në ‘habitatin’ e vet nën siglën e PL të Metës, pa asnjë shpresë për të ardhmen, do të vijojnë ta braktisin rast pas rasti liderin historik. I cili me shumë gjasa ka lënë si ‘pasardhës’ Ilir Metën në krye të “Rithemelimit” dhe PL bashkë. Pasi ‘motori’ i Berishës dhe vetë opozitës po punon me ‘tej nxemje’, dhe në kondicion të papërballueshëm për ‘trupin e drobitur’ të opozitës por dhe vetë atij. Aq më tepër që është e sigurtë se do të ngecë keq që në ‘maloren’ e parë, në përballjen për pushtetin vendor më 14 maj. Eshtë e lehtë të parashikohet se si do punojë ‘motori’ opozitar i Berishës në ‘maloren’ e radhës, pra në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, kur të jetë dhe biologjikisht i konsumuar, pasi mbush plot 83 vite, por dhe i konsumuar politik me 35 vite në kupolën e politikës në vend.
Ndaj shpresa ekziston, që të fuqizohet PD zyrtare, me apo pa Alibeajn, por që sjell shpëtimin e PD nga shuarja e krijon shpresën se mund të rritet për t’u bërë alternativë për të ardhmen. Gjithnjë nëse Alibeaj ia arrin që deri përfundim të afatit zyrtar të dorëzimit të listave të kandidatëve të bëjë atë që bën një parti që pretendon se është e madhe: Të plotësojë të gjitha ‘kuotat’ e kandidatëve për kryetarë bashkie nw twrw vendin. Ndryshe, cikli i PD do të përfundojnë me mbylljen e ciklit biologjik dhe politik të Berishës. Dhe kjo është drama më e madhe për opozitën dhe për vetë shqiptarët që mbeten pa opozitë. Të presim 14 majin, për të parë se sa e thellë do jetë humbja e palëve në opozitë.