Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto ka shprehur mbështetjen e tij për zgjerimin e Bashkimit Evropian, dhe bëri thirrje për përshpejtim të këtij procesi. Ai tha se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishin tashmë në BE, problemet e emigracionit mund të trajtoheshin në mënyrë më efikase.
Këto komente, ai i bëri gjatë një vizite zyrtare në Sarajevë, të mërkurën më 22 mars.
Sipas tij, më shumë se 265,000 emigrantë u ndaluan në kufirin jugor të Hungarisë vitin e kaluar. Szijjarto shtoi se emigrimi është pika kryesore e bashkëpunimit midis Ministrisë së Brendshme hungareze dhe Ministrisë së Sigurisë së Bosnjës.
Emigrantë duke hipur në varkën e një kontrabanduesi në plazhin e Gravelines, afër Dunkirkut, Franca veriore më 12 tetor 2022, në një përpjekje për të kaluar Kanalin Anglez.
“Ne e dimë se sa më mirë dhe më efikas të jetë bashkëpunimi në vendet e Ballkanit Perëndimor, aq më efikas është menaxhimi i emigracionit”, tha ai.
Hungaria gjithashtu dëshiron që procesi i zgjerimit të BE-së të përshpejtohet sepse stabiliteti i Bosnjës “është gjithashtu i një rëndësie të madhe edhe për ne”.
“Ne presim që Brukseli të ndërmarrë hapa konkretë në rrugën e pranimit më të shpejtë të [Bosnjës] në BE”, tha Szijjarto pas takimit me ministrin e Jashtëm boshnjak Elmedin Konakoviq në Sarajevë.
Szijjarto komentoi vendosjen e sanksioneve nga BE-ja ndaj individëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duke pretenduar se ato nuk e kanë arritur qëllimin e tyre.
Viktor Orban në fotografinë familjare, pranë presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.
Deklaratat e tij përputhen me ato të Viktor Orban, kryeministrit të Hungarisë, i cili ka bërë thirrje për heqjen e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë.
Kritikët kanë thënë se pozicioni i Hungarisë ndaj sanksioneve i ka vendosur çështjet ekonomike afatshkurtra përpara sigurisë afatgjatë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Szijjarto tha se Hungaria nuk do të ndalojë blerjen e gazit natyror nga Rusia.
“Në situatën aktuale gjeopolitike, një furnizim i sigurt me gaz natyror për Hungarinë është i pamundur pa burime ruse”, tha ai./REL