Nga Nadije Ahmeti/
Është vetëm një nxënës që ndjek mësimet në klasën e parë të Shkollës Fillore “Rilindja” në fshatin Keqekollë të Komunës së Prishtinës.
Klasa e dytë nuk ka asnjë, ndërsa të tjerat kanë nga dy deri në katër nxënës.
“Për çdo vit ka rënie të numrit [të nxënësve]. Shkolla është më e heshtur”, thotë drejtoresha Qamile Gashi.
Kur në vitin 2015 mori këtë pozitë, ajo tregon se shkolla i kishte 60 nxënës – sot i ka 19.
“Disponimi i fëmijëve nuk është edhe aq në nivel, sepse nuk ka konkurrencë në klasë, nuk kanë shokë mjaftueshëm. Me padurim presin të vijë pushimi apo ndonjë aktivitet, në mënyrë që të takohen së bashku”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Gjashtë kilometra larg Keqekollës me rreth 120 banorë gjendet fshati malor i Prapashticës, i populluar me mbi 150 banorë.
Në Shkollën Fillore atje “Dëshmorët 1921”, procesin mësimor e ndjekin 12 nxënës.
Sipas drejtorit Fatmir Zhdrella, klasat – nga e para deri në të nëntën – kanë kryesisht nga një nxënës, vetëm në disa raste nga dy.
Ekspertë të arsimit thonë se rënia e numrit të nxënësve, sidomos në viset rurale, është shndërruar në dukuri viteve të fundit.
Nehat Mustafa, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit në Kosovë, thotë se kjo ndodh si pasojë e braktisjes së fshatrave dhe emigrimit ndërkombëtar.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i nxënësve në arsimin fillor ka rënë nga mbi 247 mijë, sa ka qenë në vitin shkollor 2017/2018, në mbi 220 mijë në vitin shkollor 2022/2023.
Të dhënat e ASK-së për vitin 2021 tregojnë se 7.363 banorë kanë ndërruar vendbanim brenda Kosovës – kryesisht nga fshatrat në qytete – ndërsa mbi 42 mijë kanë emigruar – pjesa më e madhe drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Mustafa thotë se institucionet arsimore duhet të gjejnë forma që nxënësit e shkollave jo të populluara të sistemohen në shkolla të tjera, për shkak të, siç thotë, socializmit, cilësisë së arsimit dhe konkurrencës.
Sipas tij, ndjekja e mësimeve në klasë pothuajse të zbrazët lë pasoja të mëdha për nxënësit.
“Fëmijët e këtyre viseve sigurisht që mbesin shumë mbrapa moshatarëve të tyre nëpër shkolla, ku mësimi organizohet në mënyrë të rregullt dhe ku konkurrenca është më e madhe. Sepse, ndryshe është konkurrenca në një klasë me 15-20 ose më shumë nxënës”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.
Kjo problematikë është e kamotshme dhe Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) nëse i ka identifikuar shkollat me pak nxënës dhe nëse planifikon t’i sistemojë ata, por nuk mori përgjigje konkrete.
Në vitin 2021, Instituti për Studime të Avancuara në Kosovë, GAP, ka publikuar një raport me të dhëna nga 19 komuna. Sipas tyre, 340 klasa në Kosovë kanë pasur pesë e më pak nxënës, ndërsa 642 klasa kanë pasur më pak se dhjetë nxënës.
Asokohe, Agron Demi, nga ky institut, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kamenica, Vitia, Rahoveci, Dragashi dhe Deçani kanë pësuar rënien më të madhe të numrit të nxënësve, si pasojë e rënies së natalitetit dhe emigracionit.
Mustafa, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit në Kosovë, thotë se ka raste kur shkollat me pak nxënës, i bashkojnë klasat e ndryshme në një. Kjo, sipas tij, nuk është efektive, sa do të ishte bartja e nxënësve në shkollat e zonave më të afërta, ku do të kishin mundësi t’i ndiqnin mësimet me bashkëmoshatarë.
E pyetur për mundësinë e rrjetëzimit të shkollave, Ministria e Arsimit i tha REL-it në një përgjigje me shkrim se “ka bërë një analizë rreth shkollave me pak nxënës” si dhe ka formuar një “grup punues të përbërë nga përfaqësues të komunave, shkollave dhe prindërve” për t’u marrë me këtë çështje.
Se ku ka arritur me vlerësimet ky grup punues, nuk është e qartë.
Në vitin 2019, Komuna e Kamenicës – në pjesën lindore të Kosovës – ka mbyllur 19 shkolla nga 29 sa i ka pasur, për shkak të numrit të vogël të nxënësve.
“Në klasat ku ka më pak se 15 nxënës, është vështirë që të organizohet mësimi grupor me nxënës. Numri i vogël i nxënësve pamundëson edhe socializimin dhe të mësuarit nga ndërveprimi me bashkëmoshatarë”, është thënë në arsyetimin e komunës, e cila atëbotë udhëhiqej nga Qëndron Kastrati.
Nxënësit e shkollave të mbyllura në Kamenicë janë dërguar në shkolla të tjera me transport të organizuar nga komuna.
Për arsye të ngjashme, në vitin 2018, edhe Komuna e Drenasit – në pjesën qendrore të Kosovës – ka mbyllur tri shkolla në tri fshatra.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, Muhamet Gjoka, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe dy shkolla të tjera në dy fshatra të kësaj komune pritet të mbyllen.
Si arsye për këtë vendim, ai përmend: numrin e vogël të nxënëseve, numrin e madh të mësimdhënëseve dhe shpenzimet për mirëmbajtjen e objekteve.
Me Ligjin për vetëqeverisje lokale, komunat kanë të drejtë në vendimmarrje sa i përket arsimit publik fillor dhe të mesëm dhe në kuadër të kësaj kompetence mund ta riorganizojnë atë. Me ligj, transporti është po ashtu i siguruar.
Në Sindikatën për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kosovës (SBASHK) pranojnë se në shkollat me numër të vogël nxënësish, cilësia e arsimit nuk është e kënaqshme.
Por, kryetari Rrahman Jasharaj thotë se zgjidhja e këtij problemi kërkon analizë të mirëfilltë.
“Në këtë analizë duhet të marrin pjesë të gjithë faktorët kyçë, MASHTI, SBASHK-u, prindërit dhe të tjerë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme. Sepse, është një çështje e ndjeshme dhe vendimet duhet të merren bashkërisht në favor të nxënësve, por duke menduar edhe të punësuarit në sektorin e arsimit”, thotë Jasharaj.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300.000 nxënës që vijojnë shkollimin fillor dhe të mesëm në mbi 1.000 shkolla.
Cilësia e arsimit në sistemin parauniversitar të vendit është kritikuar shpesh edhe nga institucionet ndërkombëtare.
Në një raport që ka publikuar Banka Botërore në vitin 2020, është thënë se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.
Në dy teste të PISA-s – program ndërkombëtare për vlerësimin e nxënësve – Kosova ka dalë gati në fund të listës botërore.