Procesi i auditi teknik për godinat publike apo private të ndërtuara mbi 50 vjet më parë nuk ka si synim shembjen e këtyre godinave, por mbledhjen e informacionit të domosdoshëm mbi kushtet aktuale dhe qëndrueshmërinë e tyre në kushtet e amortizimit të mundshëm për shkak të kohës së gjatë që kanë kaluar qysh prej ndërtimit.

Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli ka konfirmuar se ky proces ka nisur që në vitin 2020, menjëherë pas tërmetit të vitit 2019 dhe tashmë Qeveria do të miratojë aktet nënligjore për funksionimin e tij.

Sipas parashikimit të ligjit auditimi do të fillonte në përfundim të procesit të rindërtimit. Në fokus të ligjit janë ndërtesat me një vjetërsi mbi 50-vjeçare, dhe ky proces do të vijojë vit pas viti për të gjitha objektet që përfshihen në këtë kategori.

Shkreli tha se fokusi i kësaj nisme është siguria e qytetarëve dhe objekteve që ata disponojnë teksa ka bërë të ditur se pranë Institutit të Ndërtimit paraqiten çdo ditë qytetarë të cilët kërkojnë që të vlerësojnë qëndrueshmërinë e pronave të tyre, por njëkohësisht edhe bankat apo subjektet të cilat operojnë në tregun imobilar.

“Ky proces do të fillojë menjëherë pas përfundimit të procesit të rindërtimit. Objektet që janë ndërtuar nga viti 1973 e tutje do t’i nënshtrohen një ekspertize teknike e cila do të nxjerrë në pah qëndrueshmërinë që këto objekte kanë, por edhe problematika të tjera që mund të kenë”, tha Shkreli gjatë një interviste televizive.

Procesi do të udhëhiqet nga bashkitë dhe në fund do të jetë Instituti i Ndërtimit ai i cili do të certifikojë procesin. Kjo nisëm parashikohet të nisë menjëherë pas përfundimit të procesit të rindërtimit dhe pasi të miratohen edhe aktet nënligjore.