Si i lirua Dan Hutra, autori i masakrës së djeshme ku mbetën 3 gra të vrara, është një pyetje që ka ngritur opinioni publik këto 2 ditë? Si mund të lirohet një njeri i cili ka një histori të tillë kriminale vetëm pak muaj pasi është dënuar për dhunë në familje.

Gazetarja e Report Tv Keti Banushi ka siguruar 2 vendimet, të parin që e dënoi vetëm me një vit burg Dan Hutrën dhe tjetrin atë që e liroi përfundimisht dhe e nxorri në rrugë një personazh kaq të rrezikshëm. Kujtojmë se në 16 qershor 2022 Dan Hutra ishte arrestuar për dhunë në familje, pasi ishte akuzuar nga bashkëjetuesja e tij Elena Hysa, e cila ishte vetëm disa muajshe shtatzënë.

Në vendimin e gjykatës, që mban datën 8 shkurt 2023, Dan Hutra është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg dhe do të vuante vetëm 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ky dënim kaq i vogël në argumentimin e gjyqtarit Gerd Hoxha thuhet se është marrë për disa shkaqe.

Sipas vendimit vepra është kryer me dashje nga i pandehuri, i shtyrë nga motive të dobëta (xhelozi), i pandehuri ka ndërmarrë veprime akkive, duke e kërcënuar (jo kanosur) me fjalë por, pa e goditur viktimën e pa i shkaktuar asaj dëmtime fizike; faktin se, i pandehuri e ka pranuar akuzën dhe ka shfaqur pendesë; faktin se Huta dhe viktima presin një fëmijë, ndaj të cilit i pandehuri ka detyrime themelore për rritje dhe edukim; Autori ka një mama të moshës 74 vjec, e cila vuan nga disa sëmundje dhe gjithashtu, kërkon kujdes shëndetësor të vazhdueshëm që mund të sigurohet nga i pandehuri.

Një tjetër arsye sipas vendimit të gjykatësit është fakti se Dan Hutra kishte vetëm 8 klasë shkollë, çka passjell sipas vendimit të gjyqtarit Hoxha që ai të ketë një kuptim jo të qartë të normave shoqërore dhe juridike që rregullojnë marrëdhëniet shoqërore në tërësi dhe ato në familje në veçanti.

Ndërkohë që në vendim thuhet gjithashtu se ka një tjetër fakt se “viktima nuk u paraqit në gjykim dhe ka deklaruar disa here para noterit se e ka falur dhe e ka tërhequr ankimin. Këtë qëndrim ka mbajtur edhe babai i viktimës”, por nënvizohet se kjo rrethanë edhe pse ka sjellë normalizim të marrëdhënieve, nuk merret në konsideratë në vendim si rrethanë lehtësuese për dhunuesin.

“Në këto kushte Gjykata, në vështrim të neneve 47-50 të K.Penal çmon se, rrethanat e mësipërme, në të cilat është kryer vepra penale, justifikojnë izolimin e të pandehurit nga shoqëria në masën e kërkuar nga prokurori. Për pasojë, Gjykata çmon se i pandehuri duhet të dënohet me burgim dhe nuk mund të përfitojë një dënim më të butë apo një dënim alternativ. Për rrjedhojë Gjykata çmon se, i pandehuri Dan Hutra duhet të dënohet me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim për kryerjen e veprës penale të “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a/1 i K.Penal në dëm të shtetases Elena Hysa. Duke qenë se ndaj të pandehurit u procedua me gjykim të shkurtuar, në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri Dan Hutra dënohet me 1 (një) vit burgim. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e arrestimit në flagrancë të të pandehurit më dt.16.06.2022. Dënimi do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme”, thuhet në vendimin e datës 8 shkurt.

Ndërkohë që në një vendim tjetër, atë të datës 16 shkurt merret vendimi për shuarjen e masës së sigurisë dhe lirimin e Dan Hutrës. Kjo për shkak se më 16 shkurt mbushej plot 8 muaj nga arrestimi dhe duke qenë se paraburgimi llogaritej 1.5 në raport me kohë burgimi, atëherë 8 muaj burg mbusheshin fiks 12 muaj vuajtje dënimi, pra 1 vit. Edhe këtë vendim e ka marrë gjyqtari Gerd Hoxha./Shqiptarja