E sotmja do të jetë ‘beteja’ përfundimtare mes dy kampeve brenda Partisë Demokratike, pasi Gjykata e Apelit pritet të vendosë se kush do ta drejtojë partinë, Sali Berisha apo Enkelejd Alibeaj, i cili aktualisht ka edhe vulën e partisë. Apeli ka vendosur që të shqyrtojë ‘çështjen më të nxehtë’ të momentit, kur duhen edhe vetëm 3 ditë para regjistrimit të partive politike për zgjedhjet vendore.
Kjo seancë gjyqësore do të vendosë mbi fatin e partisë më të madhe opozitare në vend, si edhe do të zgjidhë përfundimisht ngërçin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke ndarë kështu se cili nga kampet do të regjistrohet për zgjedhjet vendore nën siglën e PD-së. Çështja do të shqyrtohet nga Elona Mihali e cila do të jetë gjyqtare relatore, ndërsa anëtarë janë caktuar gjyqtarët Irida Kacerja e Astrit Kalaja.
Po ashtu ka mbërritur edhe përfaqësuesi i Enkelejd Alibeajt Indrit Sefa. Sot pritet t’i jepet fund konfliktit mes 2 grupeve për kontrollin e Partisë Demokratike. Gjyqtarët do të vendosin mbi ankimimin e Alibeajt ku kërkohet rrëzimi i vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e kuvendit 11 dhjetorit si legjitim.
Nëse Apeli do të lërë në fuqi vendimin e Zhukrit, do të jetë Sali Berisha ai që do të marrë kontrollin e Partisë Demokratike dhe do të futet në garë me kandidatët e dalë nga procesi i primareve. Por nëse Apeli do të rrëzojë vendimin e Zhukrit, do të jetë Alibeaj ai që do të futet në zgjedhje me logon e PD-së, ndonëse ai deri më tani ka prezantuar shumë pak kandidatë dhe për Tiranën, ku do të jetë më e fortë beteja elektorale, ende nuk ka një emër.
Nëse këtë ‘betejë’ e fiton Alibeaj, për të marrë pjesë në zgjedhje Berishës do t’i duhet t’i gjejë një mënyrë tjetër për t’u futur në zgjedhje, nën siglën e partive aleate. Që do të thotë do të përsëritet skenari i zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, në të cilat Berisha u fut bashkëpunoi me LSI-PDK, të cilët krijuan koalicionin “Shtëpia e Lirisë” dhe u futën në garë kandidatët e zgjedhur nga ish kryeministri.
Kujtojmë që Sali Berisha ka akuzuar herë pas here mazhorancës, sidomos kryeministrin Edi Rama se po mbante peng çështjen e vulës së PD në Apel, pasi nuk do që të futen në zgjedhje. Por tashmë kjo seancë do të mbahet më 3 mars, teksa ka pasur edhe një reagim nga përfaqësuesi ligjor i PD-së Indrit Sefa. Ai shkruan se më në fund do t’i jepet zgjidhje legjitimitetit të drejtimit të partisë. Grupi i Alibeajt pati dorëzuar edhe një kërkesë para disa ditësh për përshpejtimin e shqyrtimit të kësaj çështjeje.