Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se që nga muaji Prill mjekët specialistë do të marrin 50 mijë lekë të reja bonus. E ftuar në studion e Abc Neës, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se kjo është një masë për të mbështetur profesionistët.
“Është një masë që i përket një strategjie që qeveria ka për të mbështetur profesionistët. Kemi kaluar në në moment të ri, ku ka ekzistuar hierarkia e pagave në nivel politik dhe tani po kalojmë në një hierarki pagash në profesion. Pra, profesionistët kanë një vlerë të shtuar në të gjithë sistemet ku ata kontribuojnë. Kryeministri lajmëroi rritjen e pagave për mjekët specialistë në të gjitha strukturat.
Do të ketë rritje prej 50 mijë lekë të reja dhe për pjesën tjetër të personelit, do të ketë rritje page prej 7 për qind. Është një masë në kuadër të strategjisë tonë në kuadër të zhvillimit të burimeve njerëzore për të adresuar edhe sfidat e mobilitetit të profesionistëve të shëndetësisë që kanë prekur edhe rajonin, edhe Evropën.“, tha ministrja e Shëndetësisë.
“Çertifikatat e sjelljes së mirë i merr çdo mjek që kërkon të specializohet jashtë dhe duhet të ketë këtë certifikatë që ka kryer ciklin e studimeve. Do të duhet të trajnohet dhe të marrë një eksperiencë. Mobiliteti në tërësi nuk është thjesht në fenomen që po prek vendin tonë. Ka prekur edhe vendet e rajonit por edhe Gjermaninë e cila po thjeshton procedurat për të marrë mjekë edhe infermierë. Nëse flasim me shifra për vendin tonë, ne kemi pasur në vitin 2012 një dendësi të mjekëve. Rreth 1.3 për 1 mijë banorë dhe sot jemi më mirë, në koeificentin 1.93 mjekë për 1 mijë banorë. Por edhe sa i përket kuotave të mjekësisë, kemi një trend i përafruar i mesatares së vendeve evropiane.
Për mjekët diku 15 mjekë për 100 mijë banorë dhe për infermierë rreth 80 për 100 mijë banorë. Këta janë trende që tregojnë se kemi stafe që janë në përgatitje e sipër për t’u punësuar. Sfida është rritja në kuotat e pranimeve në universitetet e mjekësisë. E kemi bërë përgjatë vitit akademik 2023, kemi rritur me 100 kuotat në mjekësi dhe infermieri dhe nga ana tjetër do të mbështesim mjekët dhe infermierët nëpërmjet punësimit. Përgjatë vitit të shkuar punësuam mbi 340 mjekë dhe 950 infermierë. Ne përgatisim mjekë. Sfida janë programet dhe investimet në sektor në mënyrë që ata mjekë të qëndrojnë në Shqipëri dhe rritja e vazhdueshme e pagave. Nga ana tjetër, edhe duke përgatitur profesionistë që dalin nga dyert e universitetit të mjekësisë. Këta janë trendet që nuk po rrudhemi në mjekë për banorë por duhet ta mbajmë dhe shumëfishojmë. Mekanizmat që jemi duke ndërtuar, ishim rezultate të mira në raport me vendimmarrjet që kemi bërë.”, tha Manastirliu