Dy krerë degësh të PD-së në Tiranë i kanë vendosur kusht Enkelejd Alibeajt sa i takon kandidatit për bashkinë e kryeqytetit. Report TV mëson se kreu i degës nr12, Festim Dushku dhe ai i degës nr.9, Blendi Sulaj i kanë kërkuar Alibeajt vendosjen e një deputeti të qarkut si kandidat për bashkinë e Tiranës.
Ky ka qenë një kusht i vendosur nga Dushku i cili ka paralajmëruar se në rast të mospërmbushjes së këtij kushti, ai do të jepte dorëheqjen nga posti që mban aktualisht.
“Jam për kandidat politik, të jetë deputet. Përndryshe nuk jam pjesë e fushatës dhe jap dorëheqje nga kryetar i degës”-mësohet të ketë thënë ai.
“Të mos nxjerrim kandidat nëse nuk është politik, duke fituar Tiranën ke arritur fitore politike, nxjerrja e kandidatit nuk vlen nëse nuk është njeri politik. PD e mund koalicionin ‘Bashkë për Fitore’ në Tiranë për Këshillat bashkiakë”-është shprehur Sulaj.