Një 48-vjeçar në Vorë është vënë në prangat e policisë. Autori Edmond Picari ishte në gjendje të dehur kur fillimisht është konfliktuar në rrugë me Ervin Picarin. Më pas ka shkuar në banesë ka marrë çiften dhe është futur në lokal dhe ka qëlluar. Të dy janë fqinj dhe kushërinj të largët. Sipas disa deklarimeve, ngjarja ka ndodhur për shkak të debateve të hershme që kishin.
Njoftimi i plotë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit për një shtetas që po tentonte të vriste një shtetas tjetër, në një fshat të Vorës, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ndërhyrja”, për parandalimin e ngjarjes kriminale.
Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë, u kap dhe u ndalua shtetasi E. P., 48 vjeç, i cili kishte hyrë me forcë në ambientet e lokalit ku po qëndronte shtetasi E. P., 39 vjeç, dhe kishte qëlluar me armë gjahu në drejtim të tij, për motive të dobëta.
Arma e gjahut, të cilën 48-vjeçari e mbante me leje, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një sasi municioni luftarak.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. P., 48 vjeç, banues në Vorë, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.