Të paktën 12 persona janë vrarë dhe më shumë se 200 të tjerë janë plagosur pas një tërmeti të fuqishëm që tronditi pjesë të mëdha të Pakistanit dhe Afganistanit. Tërmeti me magnitudë 6.5 dëmtoi ndërtesa, shkaktoi rrëshqitje të dheut dhe bëri që njerëzit të vrapojnë në rrugë të frikësuar.
Lëkundja e fortë tronditi vendin të martën në mbrëmje me qendër në një rajon malor në veri-lindje të Afganistanit, pranë kufirit me Pakistanin dhe u ndjenë deri në Indi.
“Ishte një dridhje e tmerrshme. Unë kurrë nuk kisha ndjerë një dridhje të tillë më parë në jetën time,” tha njëra prej banoreve të Kabulit teksa dilte me nxitim nga apartamenti i saj në katin e pestë.
Nëntë nga vdekjet e konfirmuara u raportuan në rajonin e luginës së Khyber Pakhtunkhwa në Pakistan. Tre të tjerë ndërruan jetë në Afganistan. Në mesin e të vrarëve ishte edhe një fëmijë.
Shumë familje kishin dalë nga shtëpitë e tyre për të festuar festuar Vitin e Ri Persian ose Novruzin kur ndodhi lëkundja e fuqishme.
Përveç frikës nga lëkundjet, banorët e patën të vështirë të flinin jashtë për shkak të temperaturave të ulëta.
Lëkundjet u ndjenë në një zonë prej 1000 km që përfshin Indinë, Uzbekistanin, Taxhikistanin, Kazakistanin, Kirgistanin, Afganistanin dhe Turkmenistanin, sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare.
Tërmetet janë më të shpeshta në këtë rajon, sepse ai shtrihet në kryqëzimin e pllakave tektonike euroaziatike dhe indiane.
Në qershor të vitit të kaluar më shumë se 1,000 njerëz humbën jetën pas një tërmeti me magnitudë 5.9 që goditi provincën Paktika të Afganistanit, më vdekjeprurësi i vendit në gati një çerek shekulli.