Në fillim të tetorit 1980, shteti komunist do të tronditej nga një ngjarje krejtësisht e pazakontë. Funksionarët e disa prej ambasadave të huaja të akredituara në kryeqytet, kishin trokitur, një pas një, në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, duke denoncuar dëmtimin me qëllim të disa automjeteve të parkuara në vende të dukshme publike.

Incidentet – të parat e këtij lloji në 35 vite ekzistence të shtetit komunist – do të shkaktonin një shkundje të fortë, nisur nga strukturat e sigurisë. Për më keq, informacioni kishte shkuar, më shpejtë se zakonisht, në veshët e Enver Hoxhës.

Ai ishte lajmëruar nga e shoqja, Nexhmija, e cila e kishte marrë lajmin krejt rastësisht nga një njeri i afërm i familjes.

Enver Hoxha dëshmohet të jetë shqetësuar së tepërmi. Shqipëria e tij kishte marrëdhënie të cunguara e selektive me pjesën tjetër të Botës dhe numri i përfaqësive diplomatike në Tiranë ishte tejet minimal. Sigurisht që ai i frikej ndonjë skandali të mundshëm diplomatik, dhe ka mundësi që acarimin ta ketë shtuar edhe fakti i moslajmërimit nga vartësit për këtë ngjarje.

Fjalët e tij në adresë të Feçorr Shehut – Ministrit të Punëve të Brendshme – krahasohen nga dëshmitarët e kohës me hungërimën e një ujku të tërbuar: Nëse për 24 orë nuk zbuloni autorët, të gjeni vrimë ku të futeni!

Ministri Feçorr Shehu e kishte mbledhur mendjen shpejt.

Informacioni në komunikatën rutinë të policisë, të datës 23 tetor 1980, që ja kishin dërguar me urgjencë në zyrë, ishte krejt i thatë.

“Natën, më 20 dhe 22 tetor 1980, në qytetin e Tiranës, u janë çarë me thikë gomat 10 automjeteve të përfaqësive të huaja diplomatike. Ndër to 4 i përkasin ambasadës bullgare, 3 asaj greke, dhe nga një ambasadave çeke, polake dhe daneze. Këto akte janë kryer përpara Hotel “Dajtit”, në qendrën e banimit të diplomatëve në rrugën “Pjetër Budi” dhe para ambasadës greke në rrugën “Reshit Çollaku”. Deri tani autorët, nuk janë zbuluar dhe nuk dihen konkretisht, përveç ndonjë dyshimi që është krijuar për persona të veçantë”.

Pa e zgjatur më tej, ministri kishte urdhëruar një mbledhje urgjente të vartësve të tij, të cilët i kishte informuar për ngjarjen. Në fund, me ton urdhërues, kishte përsëritur të njëjtin urdhër të Enver Hoxhës, që sa duket, ende i kumbonte në kokë.

Aparati i madh policeisk i diktaturës shkundet nga vendi.

Në pak orë Tirana kthehet në një qytet me sy e veshë hapur. Struktura e Sigurimit të Shtetit, e Policisë, Hetuesisë së Përgjithshme si dhe anëtarët e Grupeve të Bashkëpunimit Vullnetar, vihen në lëvizje.

Nuk vonon dhe autori i dëmtimit të makinave të përfaqësive të huaja shfaqet. Një grup anëtarësh të forcave të Bashkëpunimit Vullnetar, e pikasin dhe kapin diku në rrugën “Emin Duraku”, përballë stadiumit “Dinamo”, ku ndodhej një zonë rezidenciale, e banuar nga familje të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Njeriu enigmatik që dëmtonte makinat e përfaqësive të huaja diplomatike në Tiranën e vitit 1980 ishte një femër. Quhej Prendushe Deda, 40 vjeçare, dhe ishte e punësuar si pastruese e rrugëve pranë Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale të Tiranës.

Sipas hetimeve paraprake, e gjithë historia kishte karakteristikat e një vepre penale ordinere. Ishte vetëgjyqësia e një qytetari përballë heshtjes së strukturave të shtetit.

E goditur nga një mjet me targa diplomatike, që nuk kishte ndaluar, Prendusha, me disa lëndime në trup, e denoncon ngjarjen pranë policit të parë që takon në rrugë. Ishte një nga policët që ruanin ambasadat në Rrugën e Elbasanit. Por njeriu i veshur me uniformë jo vetëm që nuk e merr seriozisht denoncimin, por, i bezdisur, e përzë pastruesen.

E dërrmuar fizikisht dhe psikologjikisht, jo vetëm nga aksidenti, por edhe nga të gjitha vuajtjet e jetës, pastruesja e Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale të Tiranës vendos që të bëjë vetëgjyqësi. Pasi arrin të sigurojë një mjet metalik nga fqinjët e saj Prendusha fillon të gjuajë natën, nëpër Tiranë, automjetet me traga diplomatike, të cilave u afrohej tinëz dhe u shponte gomat.

Menjëherë pas arrestimit të Prendushe Dedës, shteti policor i kohës sillet me çështjen sikur të kishin zbuluar një komplot të përmasave të jashtëzakonshme. Për rrjedhojë numri i të arrestuarve do të ishte i madh.

Gjithë qëllimi i hetuesve ishte që kjo histori të përmbushte të dhënat për ekzistencën e një “grupi të rrezikshëm armiqësor”, pasi në dijeni ishte edhe vetë Enver Hoxha, të cilit nuk mund ti dilje para dhe ti mbushje mendjen se gjithçka e ndodhur ishte vetëgjyqësi e një fshesaraje të komunales…(ABC Story)