Nga Artur Ajazi
Së fundi, kandidati i Foltores së Berishës, ka dalë me premtimin “solemn”, për “transportin falas për qytetarët e Tiranës”. Duke llogaritur jo vetëm humbjet, por edhe shpenzimet marramendëse, kjo nismë dhe ky premtim kaq i beftë, kërkon një detajim të saktë financiar. Belindin në fakt e “bindin” vetëm ato ç’ka thotë Berisha nga zyra e tij. Edhe sikur ai ti thotë “premto edhe bileta avioni falas”, edhe këtë ai do ta bëjë patjetër.
Ekspertët e ekonomisë thonë se, “është një barrë e rëndë financiare që kërkon miliona, për të arritur dhe siguruar transportin falas për afro 1 milion banorë të Tiranës, pa llogaritur ata që hyjnë dhe dalin nga kryeqyteti”. Dhe në fakt, edhe ata që ja kanë prezantuar premtimin Belindin, e dinë fare mirë se, ky premtim kërkon kurajo të madhe qytetare.
Ky premtim, nuk mund ti sjellë atij as 5 per qind rritje të votave, sepse çdo qytetari i duket e pamundur të realizohet qoftë edhe për një mandat qeverisës si kryetar bashkie. Thjesht, Belindi po kërkon një hapësirë nga ku mund të thithë ca vota më shumë. Edhe premtimet e tjera si “shpërblimet 100 per qind të atyre që u janë prishur banesat, bizneset, dhe pallatet” etj, duken sa imagjinare aq edhe qesharake.
Fushata e një kryetari bashkie, aq më tepër i Tiranës, duhej të ishte bazuar në një program zhvillimi 4, 8, apo dhe 16 vjeçar. Duke llogaritur zhvillimin intensiv të kryeqytetit, rritjen e madhe të përvitshme të popullsisë dhe shtrirjes gjeografike, premtimet elektorale për Tiranën duhet të jenë një përgjegjësi qytetare për cilindo kandidat.
Erion Veliaj, ka arritur të mbajë çdo premtim, dhe këtë nuk ka Sali dhe Belind ta hedhë poshtë. Erion Veliaj, ka meritën e madhe të zbatimit në terren të projekteve serioze dhe ambicioze, që kanë ndryshuar imazhin e Tiranës. Kryeqyteti mbetet sot qendra më e madhe e banimit, zhvillimit, integrimit, dhe progresit social-kulturor të vendit.
Nuk mjafton kurrë të thuash se “kam dalë nga primaret e Foltores, kam me vehte një mal me premtime boshe, dhe hajde të konkuroj përballë Erion Veliajt se edhe mund të fitoj”. Partia Demokratike , ajo e Berishës dhe ajo e Alibeajt, janë dhe kanë shanse Zero, në përballjen me kreun e bashkisë Erion Veliaj në Tiranë.
Të pretendosh se “do të fitoj duke premtuar transportin falas”, është njëlloj sikur të besosh se Berisha pas 14 Majit do të jetë kryeministri vendit…. Të tilla skenare që synojnë denigrimin e Belindit në Tiranë, dhe atyre që ka kandiduar Berisha në disa bashki, do ti sjellin Foltores në 14 Maj vetëm humbje dhe dështime të paimagjinueshme. Dhe në fakt, nuk mbahet mënd që kandidatët e Partisë Demokratike prej 32 vitesh, të kenë fituar me shumicë votash bashkitë e mëdha në Shqipëri, si Tiranën, Elbasanin, Durrësin, apo dhe Korçën, Beratin, Sarandën, Vlorën, etj.
Mungesa e sinqeritetit, seriozitetit, ideve dhe programeve zhvillimore të kandidatëve të asaj partie, apo dhe sot përfaqësimi politik nga një ish-lider 32 vjeçar, padyshim ka koston e vet elektorale. Por pavarsisht kësaj, në fushatën elektorale të 14 Majit, ajo që qytetarët do të votojnë,nuk janë premtimet imagjinare të foltoristëve, por punët, investimet dhe rritja e lagjeve, fshatrave dhe qyteteve, që po sigurojnë të ardhmen e tyre.