Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh në një intervistë për Top News, se mundësia për ta bërë transportin falas në kryeqytet është diskutuar më herët me ekspertë gjermanë dhe ish drejtorin e Transportit Publik në Londër, por sipas tyre kjo ide nuk do të funksiononte.
“Është mëse normale që, kur një kandidat e di që nuk do të fitojë, mund t’i bëjë edhe avionët falas, edhe trenat falas. Ne e kishim një tram imagjinar në Tiranë. Transporti publik falas është një projekt që e kemi pasur prej vitesh në diskutim, me specialistët gjermanë dhe me ish-drejtuesin e Transportit Publik në Londër, pra jemi konsultuar me të më mirët. Por, sot kemi një situatë ku kosto që do të duhej është midis 94 dhe 114 milionë euro. I bie që Bashkia e Tiranës, në tre vitet ardhshme, të mos bëjë asnjë punë: asnjë kopsht, asnjë çerdhe, asnjë rrugë, asnjë park, asnjë pemë, asnjë varrezë, asnjë investim publik, për diçka që në fakt është provuar shkencërisht që nuk funksionon”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë u shpreh se propozimi i bërë nga kandidati i LSI i ngjan premtimit të Lulzim Bashës për tramin imagjinar në kryeqytet.
“Ju kujtoj se në qytetin e Prishtinës bileta e autobusit është 50 euro/cent, megjithatë me buzën në gaz i mirëkuptoj ata njerëz që, nga dëshpërimi i sondazheve, thonë çfarë të munden, siç ndodhi me tramin dhe gjëra të tjera që janë të parealizueshme, sepse e kuptoj, janë në sikletin e tyre. Nuk dua të paragjykoj kandidatin e LSI në këtë rast, do i dëgjoj të gjithë, por unë besoj se sot, qyteti i Tiranës përbëhet në mazhorancë nga njerëz të pjekur e të arsyeshëm. Më thoni, kush nuk do donte që çdo gjë të ishte falas.
Por ne e provuam atë sistem dhe kur kjo vjen nga kandidatë të LSI, që vijnë nga e djathta, bëhet një mish-mash ideologjik, se ti nuk e kupton më, se ata nuk kanë as të djathtë, as bindje, as ideologji, as filozofi, por nga halli do të duhet të thonë disa çudira që askush nuk i beson. Për të gjithë ata që ishin në Tiranë, kur u bë muhabeti i tramit, kanë kuptuar se duhet të kemi biseda serioze, për çështje serioze dhe të realizueshme. Unë nuk e kam luksin të them çudira, sepse do më duhet ta qeveris Tiranën edhe në datën 15 maj”, deklaroi Veliaj.