Me raportin e Departamentit Amerikan Shtetit, që dokumenton praktikat e të drejtave të njeriut në mbarë botën, thuhet se forcat e armatosura ruse kanë kryer “krime të shumta lufte dhe mizori të tjera”, që prej momentit që Moska nisi një sulm në shkallë të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt të vitit 2022.
“Ka pasur njoftime të besueshme për ekzekutime, torturave, përdhunimeve, sulmeve pa dallim si dhe sulmeve që kanë pasur si objektiv civilët dhe infrastrukturën civile, nga ana e forcave ruse në Ukrainë, të cilat të gjitha, përbëjnë krime lufte”, thuhet në raportin vjetor për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022, lëshuar të hënën nga Departamenti i Shtetit. Raporti nënvizon gjithashtu rastet e dëbimit të detyruar të civilëve dhe fëmijëve nga Ukraina në Rusi.
Raporti vjen pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për krime lufte, ndaj Presidentit rus Vladimir Putin dhe Maria Alekseyevna Lvova-Belovas, Komisionere për të Drejtat e Fëmijëve në Zyrën e Presidentit të Federatës Ruse, lidhur me dyshimet për rolin e tyre në transferimin dhe deportimin e paligjshëm të fëmijëve nga territoret e pushtuara ukrainase drejt Rusisë. Moska tha se urdhër arrestet janë skandaloze dhe ka hedhur poshtë mundësinë që zoti Putin të dalë para gjykatës. Rusia nuk e njeh juridiksionin Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe zyrtarë të lartë të administratës së tij kanë akuzuar Rusinë për kryerje të krimeve të luftës dhe mizori në Ukrainë. Në shkurt, Departamenti i Shtetit përcaktoi se anëtarët e forcave ruse dhe zyrtarë të tjerë rusë kishin kryer krime kundër njerëzimit në Ukrainë. Raporti thekson gjithashtu shqetësimet lidhur me shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Iran, Kinë, Mianmar (njohur dikur si Burma), në Afganistan, Sudanin e Jugut, Siri dhe vende të tjera autoritare.
Për Iranin, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se raporti i këtij viti dokumenton në detaje “shtypjen e dhunshme dhe mohimin e vazhdueshëm që regjimi iranian u bën të drejtave universale të njeriut dhe lirive themelore në vend, përfshirë liritë e shprehjes dhe fesë apo besimit fetar”. Vdekja në paraburgim shtatorin e kaluar e 22-vjeçares Mahsa Amini, arrestuar nga e ashtuquajtura “polici e moralit”, rreth dyshimeve për shkelje të kodit të veshjes, shkaktoi protesta paqësore në të gjithë Iranin.
Në raportin e Departamentit të Shtetit thuhet se ndërsa qeveria iraniane nisi një hetim pas vdekjes së zonjës Amini, ajo u përqendrua tek aktet e protestuesve, të cilët i quajti “rebelë”, por nuk dha asnjë shenjë se do të hetonte edhe sjelljen e forcave të sigurisë. Lidhur me Kinën, zoti Blinken tha se “gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit” vazhduan të ndodhin kundër ujgurëve, kryesisht atyre myslimanë, si dhe anëtarëve të grupeve të tjera të pakicave etnike dhe fetare, në provincën Xinjiang të Kinës. Raporti i ri dokumenton statusin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të punëtorëve në 198 vende dhe territore. Ky raport i Departamenti të Shtetit publikohet tashmë prej më shumë se 40 vitesh.