Belind Këlliçi është regjistruar me vulën e Partisë së Lirisë të drejtuar nga Ilir Meta, për të garuar në zgjedhjet e 14 majit, si kandidat për Bashkinë e Tiranës, si përfaqësues i Rithemelimit dhe Foltores së Sali Berishës. Lëvizja erdhi pasi Sali Berisha humbi betejën për vulën e PD-së dhe për t’u legjitimuar si parti politike. Në kërkesën për regjistrimin që Këlliçi ka dorëzuar në KQZ, ka marrë autorizim nga Endrit Braimllari dhe vula i Partisë së Lirisë. Përfundimi në kandidat i partisë së Ilir Metës nuk është një proces politik i natyrshëm për Këlliçin, nëse do të rikthejmë në kujtesë qëndrimet që Këlliçi ka mbajtur në të kaluarën për LSI-në dhe Ilir Metën.
Në vitin 2017, Lulzim Basha nisi një fushatë kundër LSI-së dhe Ilir Metës. Basha e konsideronte LSI-në një organizatë kriminale, shpk, parti tezgë, grup që plaçkiste me torbë në kurriz etj. Në atë kohë, Belind Këlliçi konsiderohej i besuar dhe ‘delfin’ i Lulzim Bashës. Këlliçi iu bashkua linjës së nongratave vetëm pasi kuptoi se Berisha po i merrte partinë Bashës. Në vitin 2017, Belind Këlliçi deklaronte se një koalicion me LSI-në e Ilir Metës nuk ishte në interes të qytetarëve.
“Në gjykimin tim, nuk përbën interes për qytetarët, që PD-ja të bëj koalicion me LSI-në, ajo është parti e majtë dhe ne jemi të djathtë. Prandaj iu bëj thirrje të rinjve të bashkohen për një kauzë të drejtë, PD-ja është themeluar nga rinia, për integrim, kemi arritur në një pik kritike për të ardhmen e të rinjve dhe qytetarëve. Politika duhet parë si fillim nga të rinjtë”, thoshte Këlliçi në 28 tetor të vitit 2017, teksa fliste për vendosjen e shtatores së Azem Hajdarit në Tropojë.
Rreth 6 vite më vonë, Belind Këlliçi jo vetëm pranoi koalicionin me LSI-në, por edhe u regjistruar në emrin e partisë së Metës, që më parë mbante emrin e LSI-së. Nuk dihet se çfarë ka ndryshuar: Është bërë partia e Metës një parti e djathtë, ka ndryshuar interesi i qytetarëve apo interesat politike të Belind Këlliçit, kandidati i njeriut që është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithsesi, vlerësimi u takon qytetarëve ditën e zgjedhjeve./Adriatik Doçi