Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zhvilluar një takim me punonjës të Policisë Bashkiake, Zjarrfikëses, IMT-së, UKT-së, AMK dhe institucione të tjera, për t’i dhënë disa porosi, por edhe për t’i falënderuar sepse falë punës së tyre, imazhi i qytetit ka ndryshuar plotësisht.
Gjatë takimit në Teatrin Veror të Tiranës, Veliaj tha se falë modernizimit të Policisë Bashkiake, por edhe institucioneve të tjera të rëndësishme të bashkisë, Tirana sot ka ligjshmëri, disiplinë, rregull dhe respekt për uniformën, si kurrë më parë në gjithë këto vite tranzicioni.
“Për një polic bashkiak, kur organizohet Dita e Verës, apo aktivitete të mëdha, shtohet numri i incidenteve, ashtu siç shtohet volumi i punës edhe për zjarrfikësit, të cilët meritojnë gjithë përkrahjen dhe mirënjohjen tonë për punën heroike që bëjnë. Për të gjithë ata që punojnë dhe merren me pastrimin, nuk ka rëndësi nëse është e shtunë, e dielë, Ramazan, Pashkë, Krishtlindje, apo Vit i Ri, ata duhet të jenë aty, që Tirana të jetë xixë. Si kurrë më parë, ky qytet nuk përmbytet më dhe kjo është e gjithë merita e djemve e vajzave të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë. Ne kemi sot një qytet ku nuk guxon kush të rikthejë kohën e zaptimit, të plehrave e vandalizmit, siç ndodhte para 8 vitesh. Sot më i forti është ai qytetar i Tiranës që respekton rregullat, respekton uniformat, paguan taksat dhe sillet si një qytetar i denjë i Europës,” u shpreh Veliaj.
Nga ana tjetër, ai tha se shumë prej këtyre trupave sulmohen dhe për këtë ai dha një këshillë: “Mund të ketë disa prej jush që më thonë: “Kryetar, po si t’ia bëjmë atyre që nuk binden?” Unë them se duhet të mbështesim njëri-tjetrin. Unë i pari jam këtu që t’ju mbështes juve. Unë i pari jam këtu që t’ju them: nuk ka rëndësi cili portal vë gjoba, nuk ka rëndësi cili analist shqetësohet nga një gjobë se ka parkuar keq, nuk ka rëndësi cili politikan thotë “pse më keni bllokuar llogarinë bankare, se unë jam ‘filan-fisteku’ dhe taksat e mia mund të presin për më vonë, nuk jam si gjithë të tjerët që t’i paguaj në afat”. Unë them se detyra juaj është që të bëni punën që keni marrë përsipër dhe të nderoni uniformën e Policisë Bashkiake, e Zjarrfikëses, e IMT-së, e Financave, e UKT-së, e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Kjo është detyra juaj!”
Kreu i Bashkisë tha gjithashtu se falë vendimit të qeverisë për rritjen e pagës minimale e në proporcion me të, edhe të pagave të tjera, nga 1 Prilli do të rriten pagat edhe për punonjësit Policisë Bashkiake dhe zjarrfikës të qytetit. “Jam i lumtur që, duke filluar nga data 1 Prill, do të fillojë rritja e rrogave. Kjo do të thotë të përfshijë edhe pagat e zjarrfikësve, që ka qenë edhe një nga komunitetet më të diskriminuara, duke qenë se fillimisht ishin në nivelin e qeverisë qendrore, pastaj shkuan në nivel të bashkive. E njëjta gjë edhe për ndërmarrjet e bashkisë. Unë besoj se me rritjen e pagave, kemi sjellë vërtet një lajm të mirë këtë pranverë,” u shpreh Veliaj.