Fokusi i sotëm para zgjedhjeve vendore kanë qenë roli i mediave në politikë. Komisoneri i KQZ ka folur sot për financimet në media që është një ngërç shumë i madh, sidomos për faktin që nuk ka asnjë rregullim ligjor për këtë aspekt për mediat online.
“Sot e dimë që media e shkruar e ka humbur atë rolin e vetë, rëndësinë e vetë, vazhdojnë mediat tradicionale, radio e tv të kenë rol të dorës së parë. Por e dimë shumë mirë, që rrjetet sociale, mediet online kanë fituar teren në këtë fushë. Legjislacioni ynë nuk ka asnjë rregull që ti imponohet sjelljes së këtyre mediave. Ndaj shpresoj që në kuadër të reformës së re elektorale të gjej trajtesën e vetë edhe ky aspekt. Edhe pse vetë në vetvete media online, rrjetet sociale, që janë një risi, nuk e kanë rregullimin që duhet të ketë, mendoj se kjo nuk i pengon partitë politike dhe kuvendin e Shqipërisë të adresojë raportin mes partive politike, fushatave sociale dhe mediave sociale. Lidhur me reklamat politike, eksperiencat e deritanishme kanë treguar se ka paqartësi në këtë mes. Kemi raste kur media të caktuara, justifikimin e tyre mbi një lloj ç ‘balancimi, në lidhje me reklamat politike, apo subjekteve elektorale, e kanë justifikuar, që ne kemi dhënë, por i kemi dhënë falas, s’mund ta bëjnë këtë për partitë politike, nuk lejohet nga ligji.”- tha ai.
Edhe ambasadori i OSBE, De Santics ka thënë se financimi në televizione duhet të monitorohet në mënyrë që të shmanget përdorimi i kandidatëve të partive për fushatë në media,
“Në raportin e vitit 2021 ma patur dhe disa elementë mbi median. Ka patur një rekomandim nga ODIHR, kodi zgjedhor duhet të garantoj të drejta të barabarta për hapësirën e reklamave, për të gjithë njësoj. Është vënë re se mund ti jepet një vëmendje e caktuar gjatë fushatave zgjedhore një kandidati apo një partie të caktuar. Ka një ndjeshmëri të lartë lidhur me këtë pikë. Urojmë që të operohet gjatë ndryshimeve të kodit zgjedhor. Paratë që shpenzohen nga partitë politike mund të jenë domethënëse, ky investim mund të jetë një ndikimin, ekziston rreziku që kandidatët me më shumë para, ndikojnë më shumë në media. Prandaj OSBE inkurajon një monitorim më të madh të veprimtarisë së medias dhe fondeve të përdorura nga kandidatët dhe partitë për financimin e fushatave të tyre në media.”- tha ai.