Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se deri më tani 21 parti politike kanë paraqitur kërkesën e tyre për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Janë 21 bashki të cilat nuk kanë sjellë asnjë informacion mbi njoftimin e zgjedhësve në KQZ edhe pse ua kemi kërkuar vazhdimisht. Në lidhje me kërkesat e partive politike, deri tani kanë paraqitur kërkesën për t’u regjistruar 21 parti politike”-tha Celibashi.
Sa i takon shpërndarjes së fondeve për Partitë Politike, Celibashi tha se do të bëhej pas datës 31 mars.
“Nuk ka asnjë lidhje me çështjen e lidershipit të PD, do bëjmë shpërndarjen e fondeve pas datës 31 mars që është data e fundit kur partitë politike duhet të sjellin raportin e tyre financiar për vitin 2022”- shtoi ai.