Në kuadër të zgjedhjeve vendore që do të mbahen më 14 maj, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar një takim me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste Damian Gjiknuri. Takimi u zhvillua në selinë rozë. Pas takimit me Gjiknurin, diplomatja amerikane po zhvillon një takim edhe me kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në kryesinë e Kuvendit. Pas takimit me Alibeajn, burime për Report Tv bëjnë me dije se diplomatja amerikane do të takohet edhe me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Metën.
Kujtojmë se dy Partitë Demokratike, ajo e Enkelejd Alibeajt dhe Rithemelimi i Sali Berishës kanë bërë kërkesë në KQZ për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 14 majit, kjo pasi të dyja palët pretendojnë se mbajnë vulën e partisë. Do jetë KQZ e cila do të vendosë nesër për fatin e Partisë Demokratike, nëse do të regjistrohet apo dhe cili prej kampeve do të regjistrohet.
Përplasja në PD u thellua edhe më tepër, pas vendimit të gjykatës së Apelit për të zhbërë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, për vulën e Partisë Demokratike, e cila i kaloi Enkelejd Alibeajt, ndërsa Sali Berisha nga ana e tij s’e pranon vendimin e gjykatës.
Nga ana tjetër partitë politike kanë filluar punën për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 14 maj dhe në fund të muajit pritet edhe zyrtarizmi i kandidatëve.