Pas pothuajse 40 vite në arsim dhe kontribut në edukimin e brezit të ri, Zana Miholli nga Korça, tashmë arsimtare në pension, bën një reflektim të karrierës së saj dhe përkushtimin ndaj mësimdhënies, pavarësisht kushteve që duhej të përballonin.

“Vështirësitë ishin tepër të mëdha në atë kohë, sigurisht në dimër, sepse duhet të ecnim në mes të baltës në plantacionet me mollë dhe të shkonim me çizme në shkollë”, tregon ajo.

E dashuruar me këtë profesion, Zana ka një mesazh për koleget e saj në detyrë dhe atyre që e aspirojnë këtë profesion. “Nuk mund të bëhesh kurrë, jo vetëm mësues, por edhe inxhinier dhe një punëtor i thjeshtë, nëse nuk e do profesionin”.

Por si e shikon ajo gjendjen aktuale të arsimit në vend? Dhe çfarë duhet të ndryshohet në mënyrë që misioni i mësimdhënies të përmbushet sa më mirë? “Respekti ndaj mësuesit duhet të jetë më i madh. Pak më tepër lidhje me familjet, me prindërit, që shkolla të mos jetë vetëm për të kaluar kohën, por edhe për të marrë dije”

Sipas mësuese Zanës, brezi i arsimtarëve dhe zyrtarëve të arsimit të sotëm duhet të përgatisin rininë jo për t’u krahasuar me shkollat e qyteteve të tjera por me ato të Evropës.