Gazetari Artan Hoxha ka publikuar mbrëmjen e djeshme pamjet e kameras së sigurisë brenda një lokali te “Kodra e Diellit” në Tiranë, në të cilat shfaqet ish-shefi i RENEAS duke marrë mijëra euro nga një person tjetër. Altin Morina është arrestuar dhe ndodhet në qeli.
Siç shihet nga pamjet e transmetuara në “Opinion”, rreth një orë para se të arrestohej ish-shefi i RENEAS u takua me biznesmenin e ndërtimit në një lokal dhe mori paratë. Madje, më vonë në tavolinë shkojnë dhe familjarët e biznesmenit.
“Ky regjistrim është bërë vetëm një orë përpara arrestimit, diku në zonën e Tiranës së Re. Ky është biznesmeni Gentian Gjoka dhe kutia e bardhë që ai solli kur erdhi në tavolinë janë 113 mijë euro.
Pak më vonë, kamarieri ka shkuar në një market dhe ka marr një qese. Këtu ka ardhur djali i biznesmenit dhe më pas ka ardhur dhe bashkëshortja”, tha Hoxha duke shpjeguar videon.
“Ka një akt noterial që e ka lëshuar i biri i biznesmenit dhe i thotë që kam dhe një statement të bankës, por kjo duhet verifikuar”, vijoi gazetari.