Qëndrimin e vërtetë e tregoi vetëm pas kthimit në Beograd. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi se nuk ka ndërmend të firmosë propozimin europian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Gjatë një interviste për televizionin publik serb, ai nënvizoi bisedën e vështirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në gjuhën angleze dhe se nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje.
“Po e përsëris për të dhjetën herë. i kam thënë Macronit, Scholz-it dhe Lajçakut. Sa të jem president i republikës së Serbisë, nuk do të nënshkruaj as njohjen formale apo joformale të Kosovës dhe as për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara”, tha Presidenti serb.
Vuçiç u shpreh i gatshëm të zbatojë vetëm disa pika të propozimit europian, dhe se për këtë ka informuar ndërkombëtarët, përfshirë dyshen Macron Scholz në Mynih. “Nuk kam asgjë për të fshehur. Na është paraqitur një propozim mere ose lëre. Deklarata e Borrellit është shumë e paqartë, po flasim për një koncept apo një kornizë”.
Nuk la pa përmendur dhe çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se marrëveshja bazë për të është ajo e vitit 2013 dhe se përveç një kryetari, kuvendi, duhet të ketë prona të paluajtshme, flamur dhe stemë.
“Jam i bindur se nuk do ta formojmë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në një të ardhme të afërt. Do të shohim nëse do të jetë një muaj, dy apo gjashtë, por një ditë dikush do të duhet ta formojë atë. Pasi kjo të ndodhë, atëherë ne do të ulemi për të diskutuar tema të tjera që nuk janë të lehta”. Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas kthimit në Prishtinë konfirmoi se firmosja e propozimit europian duhet të ndodhë brenda marsit. “Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëhet me njohje reciproke dhe me reciprocitetin si princip”.