Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy vizitoi të enjten rajonin jugor të Khersonit, ku u premtoi zyrtarëve lokalë dhe banorëve se do të riparoheshin dëmet e shkaktuara nga agresioni rus.
Vizita në rajonin ku Ukraina i zmbrapsi forcat ruse në një kundërofensivë të suksesshme në fund të vitit të kaluar, dukej se kishte si objektiv të nënvizonte qëndrueshmërinë e vendit 13 muaj pasi filloi agresioni në shkallë të gjerë i Rusisë.
Ishte udhëtimi i dytë i zotit Zelenskiy jashtë Kievit këtë javë, pas një vizite në Ukrainën lindore të mërkurën, në të cilën ai u shpërndau medalje trupat pranë qytetit Bakhmut në vijën e parë të frontit dhe vlerësoi trimërinë e tyre.
“Kam folur me banorët lokalë për problemet dhe nevojat e tyre aktuale,” shkruante të enjten zoti Zelenskiy në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Udhëtimet e zotit Zelenskiy, pasuan një vizitë të presidentit rus Vladimir Putin në qytetin e pushtuar ukrainas të Mariupolit të shtunën e kaluar, e cila u kritikua nga Kievi, si edhe premtimet për unitet mes Pekinit dhe Moskës gjatë një vizite në Rusi nga udhëheqësi kinez Xi Jinping.