Nga Dritan Hila
Formacionet për fushatën e zgjedhjeve lokale tashmë janë në fushë. Edhe partia e Alibeajt ka paraqitur listën e këshilltarëve. Ajo që vihet re është një lloj handikapi i kësaj fushate elektorale sepse shumica e PD-se, të paktën kështu besohet, e cila përfaqësohet nga zoti Berisha, është në strehën e Ilir Metës, ndërsa vetë PD-ja, ajo që përfaqëson Alibeaj dhe Basha është me gjysmëtrup, gjysmëzemer në fushëbetejë, sepse nuk ka paraqitur të gjithë kandidatët e vet.
Është e pakuptueshme kjo strategji që ka ndjekur Alibeaj dhe grupi i tij politik, sepse është një veprim që vetëm politik nuk është. Duhet të gëzohemi të paktën që PD-ja nuk po humbet si sigël por po paraqitet me një të katërtën e bashkive me kandidatë për kryetarë dhe anëtarë për këshillat bashkiakë.
Nëse kanë shpresuar që kjo do të ulë goditjen e Sali Berishës kundër tyre, me siguri nuk e njohin. Por shqiptarët e njohin mirë Berishën dhe kjo nuk ka për t’u sjellë më një përfitim, përveçse ka për ta çorientuar më tepër elektoratin. Ende nuk e kam të qartë se si një votues i të djathtës do të shkojë të zgjedhje midis këshillit bashkiak të Sali Berishës, apo të PD-së. Është një kaos i organizuar.
Ata që dalin të fituar nga kjo mesele janë krahu i Ilir Metës sepe ai i ka mbushur me njerëzit e vet, listat e anëtarë e të këshillave bashkiakë. Mendohej që Ilir Meta ishte në prag të shuarjes së tij. Kjo në fakt i jep një dorë të cilën me siguri nuk ka dashur t’ia japë Berisha, apo Alibeaj. Jo se këshillat bashkiakë kanë ndonjë rëndësi në qeverisjen territoriale. Kjo i shërben Metës për të mos u zhdukur nga politika e Shqipërisë.
Është një ujë në mes të shkretëtirës që ia jep me siguri pa vetëdije Alibeaj dhe me siguri pa dëshirë Sali Berisha. Berisha për mbijetesë politike detyrohet që të futet në strehën e Metës. Ndërsa PD-ja e Alibeajt në qorrllëkun e tyre politik shkojnë dhe i japin frymëmarrje Ilir Metës. Jo se Meta e meriton apo jo të ekzistojë, se kjo është punë e zgjedhësve, por ata kanë siguruar një trik elektoral që i rrit votat Ilir Metës dhe në të ardhmen kjo do të bëjë që të rrisë pretendimet për numrin e deputetëve në radhë të një aleance. Situata politike e dy partive të mëdha, e ka shpëtuar Ilir Metën.
Ligji i 2008-ës u be për t’u zhdukur Ilir Meta. Në fakt budallallëku, tahmaja dhe papjekuria politike e PD-së bëri që Meta, jo vetëm të mos zhdukej, por edhe të mbijetonte. Jemi në një situate ku dy çuditë e mëdha janë zgjidhja që i ka dhënë se si do të marrë pjesë në këtë fushatë elektorale PD-ja e Alibeajt dhe përfitimi i Metës nga ky mishmash elektoral, duke menduar që Ilir Meta do të jetë ai që do të ketë numëruesit në komisionet zgjedhore, do të numërojë edhe votat e Sali Berishës.
Ky mishmash politik sigurisht që favorizon PS-në, megjithatë kundërshtarët e saj kanë gati fabulën për humbjen, janë vjedhur votat, votat e krimit, votat e blera të Edi Ramës, pra është gati fabula për të justifikuar humbjen. Por unë nuk e di se si mund të fitojnë.(Dritare.TV)