Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se Partia Socialiste do të fitojë 48-52 bashki në zgjedhjet e 14 majit. Duke folur në Report TV, Veliaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe atij qendror.
“Unë besoj se një fitore shumë e madhe në nivel kombëtar, do të ishte diçka rreth 50 bashki. Unë parashikoj 48-52 bashki. Është një mënyrë për të ecur përpara, për ta trajtuar bashkinë si aleate të qeverisë. Një kryetari bashkie i intereson që me qeverinë të ketë bashkëpunim. Kur me qeverinë kemi bërë gjysmën e unazës dhe tani po bëjmë gjysmën tjetër nga “Shqiponja” në drejtim të Tufinës, një kryetari bashkie nuk i intereson bashkia si vare kundër qeverisë, por i intereson si një instrument që të bashkëpunojë me qeverinë dhe ta mbarojë sa më shpejt këtë punë. Në këtë sens, bashkitë që do të votojnë PS-në, do të garantojnë bashkëpunimin me qeverinë e Edi Ramës, kjo është pak, por e sigurt”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se një bashki që refuzon bashkëpunimin dhe që e trajton mandatin e bashkisë si një armë kundër qeverisë së Edi Ramës, bën një gabim fatal. “Shumica e njerëzve duan që të ketë sa më shumë bashkëpunim, që të ecin gjërat përpara. Për Qarkun e Tiranës, nëse do më kishe pyetur përpara një muaji nuk do isha aq i sigurt, sepse Tirana përveç bashkisë kryesore, në pjesën tjetër ka qenë kryesisht e drejtuar nga e djathta. Pra, Vora ka qenë mbi 20 vjet bastion i djathtë, Kamza 30 vjet, Kavaja po ashtu, me disa ndërprerje të shkurtra, Rrogozhina një herë këtej, një herë andej. Sot mund të them që në të 5-ta bashkitë kemi shans dhe sondazhet na tregojnë në avantazh. Por unë besoj se sondazhi i vërtetë është i 14 majit, ndaj edhe kërkesa e llogarisë për secilin prej kolegëve që drejton fushatën, është që ne duhet të punojmë çdo ditë sikur të varemi nga 1 votë, t’i trajtojmë njerëzit me respekt, me përulësi, ta trajtojmë këtë fushatën e mbjelljes si një fushatë për të mbjellë paqe dhe për të mbjellë bashkëpunim mes njerëzve, jo për të përçarë komunitetet”, theksoi Veliaj.