Media, në llojin e raportimit që bën mbi Berishën & Co, as që e merr në konsideratë faktin se ai është “non grata” nga dy fuqi perëndimore, si dhe dukshëm i izoluar nga BE, që nuk është çudi që dhe ajo të pasojë një ditë segmentin Uashington-Londër në këtë vendimmarrje mbi politikanin plak shqiptar ende aktiv, tashmë për të sfiduar dhe vulosjen që i është bërë si i papranueshëm nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Edhe pse deklarimet e herëpahershme amerikane e kanë bërë të qartë se ai dhe çdo produkt i dalë prej tij nuk do njihet, media nuk merret fare me këtë aspekt kryesor në qasjen raportuese ndaj Berishës dhe produkteve të tij.

E raporton sikur të mos kish ndodhur asgjë, pa asnjë selektivitet etik madje, duke i servirur publikut pa asnjë lloj rezerve çdo gjë marrëzi që del nga goja e tij.

Ndërkohë, në rrethanat e një medieje më pak budallaqe se kjo qe kemi, e vetmja gjë që ajo duhej të trajtonte ajo lidhur me Berishën & Co duhej të niste nga “non grata” ndaj tij, e cila zhbën çdo lloj synimi politik të tyre dhe në këtë kohë fushate.

Ja, marrim Belind Këlliçin, kandidatin për Tiranën, që për cinizëm është shkolluar dhe në Amerikë. Si ka mundësi që në dhjetra paraqitje në media të mos pyetet se si do e qeverisë ai Tiranën kur s’e njeh SHBA dhe Britania e Madhe, plus izolimit dhe nga BE. Te ai apo te çdo kandidat tjetër dalë nga kampi Berisha, nuk vlen asnjë lloj premtimi apo programi para problemit më akut politik: janë produkte të një “non grata” dhe do trajtohen si të tillë.

Që do të thotë se jo thjesht nuk do i sajdis kush nga të huajt, por nuk do munden të aplikojnë në asnjë institucion ndërkombëtar për financime të ndryshme që janë dhe baza e çdo “pune të madhe” në qeverisje.

Media duhet të kuptojë se sipas një arsyetimi amerikan, ku thuhet se nuk do njihet asnjë produkt politik i Berishës si “non grata”, edhe Këlliçi i tillë do trajtohet.

Ky është i vetmi debat në këtë fushatë mbi dhe me kandidatët e Berishës. Programet dhe premtimet, për njëherë tjetër!(Tesheshi.com)