Inigo Martinez do të jetë përforcimi i parë i Barcelonës për sezonin e ardhshëm. Katalanasit e ndjekin prej kohësh qendërmbrojtësin, i cili ndodhet në vitin e fundit të kontratës me Athletic Bilbao. 31-vjeçari ka vendosur të mos rinovojë, ndërkohë që në Spanjë raportojnë se ai ka firmosur një parakontratë me Barcelonën.
Martinez do të jetë pjesë e skuadrës së Xavit deri në vitin 2025, duke hedhur në këtë mënyrë hapin e madh në karrierë. Lojtari bask debutoi me kombëtaren e Spanjës dhjetë vite më parë. Deri tani numëron 20 ndeshje dhe një gol me iberikët.
Përveç qendrës së mbrojtjes, Martinez mund të luajë edhe si mbrojtës i majtë në raste nevoje. Ai është një produkt i Real Sociedad.
Në janarin e vitit 2018 u transferua tek “armiqtë” e Bilbaos për 32 milionë euro, ndërkohë që prej sezonit të ardhshëm do të luajë në “Camp Nou”.