Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka refuzuar të komentoj kontrollet që ka bërë SPAK në pronat e ish-ministrit Arben Ahmetaj dhe akuzat e ngritura nga drejtësia ndaj këtij të fundit.

Në një intervistë për Euronews Albania, Balla hodhi akuza dhe ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha duke thënë se ky i fundit përpiqet që të politizojë çdo çështje që lidhet me zyrtarë të PS dhe me drejtësinë.

“Kam dëgjuar përmes mediave kërcënimet dhe politizimin e drejtimit të SPAK nga ana e Sali Berishës. Kur erdhi në pushtet në 2005 sulmoi Prokurorinë e asaj kohe. Nuk është rasti që shqiptarët të shqetësohen në këtë moment. Përpjekjet e Berishës për të politizuar çdo çështje janë përpjekje të fundit nga një person i shpallur “Non Grata”.

Do të duhet që institucionet e drejtësisë të fillonin verifikimin e dosjeve për korrupsion që gjenden aktualisht në Prokurori. Ajo që dua të them është se politikanët duhet të kuptojnë që koha kur bëhej drejtësi me politikë ka marrë fund. Nuk bëj komente në lidhje me çështjen e Ahmetajt, është drejtësia ajo që vepron. Çdo veprim të kryhet mbi bazën e drejtësisë”- tha Balla.