Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi bëri publike shpalljen e thirrjes së parë për aplikime në projekte të kërkimit shkencor, dedikuar bashkëpunimit midis universiteteve dhe bizneseve.
Bashkëpunimi universitet-biznes në aktivitete të kërkimit shkencor është një mekanizëm që prodhon njohuri, produkte dhe shërbime të reja.
Për këtë arsye për herë të parë, u shpall thirrja për financimin e projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor, e cila do të jetë e hapur deri në datën 28 prill 2023.
Kjo thirrje përfshin edhe projektet në kuadër të programit EUREKA të BE-së, si rrjeti më i rëndësishëm ndërkombëtar për bashkëpunim në aktivitete të kërkim zhvillimit dhe inovacionit, e ku Shqipëria bën pjesë që prej vitit 2021.
Me anë të një postimi në “Facebook”, Kushi shkruan se këto projekte nxisin më tej zhvillimin e biznesit, njohjen më të mirë të tregut, identifikimin dhe zgjidhjen e problematikave të ndryshme që mund t’i shfaqen biznesit sidomos në këtë kohë krize.
Gjithashtu projektet e financuara ofrojnë mundësi studimi dhe hapjeje të tregjeve të reja, nxisin iniciativat për produkte dhe shërbime të reja, zhvillimin e teknologjive të reja, shkëmbim eksperience, etj.
Krahas përfitimeve që kanë bizneset pjesëmarrëse në kërkim shkencor, edhe studentët kanë përfitimin e tyre, pasi kjo është një mundësi mjaft e mirë për tu bërë pjesë e punës kërkimore shkencore në laboratorë realë, që janë vetë bizneset.