Bashkia e Elbasanit i cilëson spekulime politike dhe të pavërteta deklarimet e shtetasit Luçiano Boçi referuar impiantit për trajtimin e mbetjeve urbane. Përmes një njoftimi për media, Bashki e Elbasanit nënvizon se qytetarët e Elbasanit nuk kanë se si të besojnë gënjeshtrat e qëllimshme të shtetasit Boçi për aq kohë sa e mbajnë mend shumë mirë situatën e emergjencës mjedisore në të cilën ndodhej qyteti vetëm pak vite më parë.

“Ndërtimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit, ndryshe nga sa pretendon shtetasi Boçi, që prej vënies në funksion në fillim vitin 2016 krijoi mundësinë që të gjitha bashkitë të mund të depozitonin pa kosto mbetjet e tyre për përpunim dhe incenerim. Proces i cili ka vazhduar rregullisht, konfirmuar me faturat e depozitimeve nga fillimi i punës së impiantit deri në fund të vitit 2021. Bashkia e Elbasanit si një prej njësive vendore depozituese e mbetjeve, gjatë gjithë kësaj periudhe nuk ka paguar asnjë lek ndaj shoqërisë koncesionare, sikurse edhe përcaktohej në kontratën koncesionare”, thuhet në reagim.

Bashkia sqaron se pas përfundimit të periudhës së koncesionit, secila nga bashkitë e Qarkut, përfshirë edhe Bashkinë Elbasan, kanë lidhur me shoqërinë publike “ECO-ELB”sh.a., kontratën e “Shërbimit publik për pranimin, depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve në mënyrë të drejtpërdrejtë”. “Kjo pasi kontrata koncesionare parashikonte se impianti kalon në pronësi të shtatë bashkive pas Dhjetorit 2021, ndaj u krijua shoqëria publike ECO-ELB sh.a. Kjo kontratë rregullon modalitetet e pranimit, trajtimit dhe përpunimit të mbetjeve, tarifën e përpunimit për ton e cila është përcaktuar nga Asambleja e Përgjithshme në vendimin Nr.3, datë 02.03.2022 e cila për institucionet është 2500 lekë pa tvsh. Tarifë e cila garanton kostot operative të administrimit të impiantit në shërbim të shtatë bashkive, çka deri në 2021 i përballonte vet privati. Edhe në këtë element pretendimet e shtetasit Luçiano Boçi janë të pavërteta, bazuar në dokumente. Pas marrjes në dorëzim nga “ECO-ELB” sh.a., inceneratori ka vazhduar normalisht procesin e punës deri në Qershorin e vitit 2022, përfshirë procesin e incenerimit të mbetjeve dhe prodhimin e energjisë për konsum vetjak. Më pas, impianti i është nënshtruar fazës së remontit periodik teknik. “ECO-ELB” sh.a. ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme në zbatim të ligjit për porositjen e pjesëve të cilat duhet ti nënshtrohen remontit. Pajisjet e prodhuara me porosi, për shkak të specifikës teknike, tanimë janë në proces kolaudimi dhe impianti pritet të dalë nga faza e remontit e të rivihet në funksion”, thuhet në deklaratë.

Bashkia e Elbasanit nënvizon se aktualisht, nga i gjithë Qarku i Elbasanit, në këtë incinerator depozitohen 120-140 ton mbetje/në ditë. “Këto mbetje depozitohen në landfill dhe me nxjerrjen e impiantit nga remonti do të kryhet selektimi dhe incenerimi i tyre. Pra, qartësisht, ndryshe nga sa shpreson fatkeqësisht shtetasi Boçi nuk ka asnjë rrezik për emergjencë mjedisore.
Bashkia e Elbasanit garanton qytetarët se është e angazhuar maksimalisht për të përdorur në mënyrë sa më transparente çdo qindarkë të tyre me synim një mjedis sa më të pastër. Akuzat politike nuk do mund ta ndalojnë Bashkinë e Elbasanit për të kryer detyrën e saj”, përfundon reagimin e saj Bashkia e Elbasanit.