Rreth një javë më parë më 21 Prill të këtij viti kompania e lobimit “PRIME Policy Group” deklaroi në SHBA se kishte pajtuar një klient të ri, Sali Berishën.
Lajmi u bë publik në orët e para të mengjësit në Tiranë pas një publikimi të Politico.
Kontrata e Berishës me kompaninë “PRIME Policy Group” është publikuar dhe zyrtarisht, gjëja e parë që të bie në sy është fakti se kjo kontratë është “pro-bono”, çka do të thotë se kompania amerikane “PRIME Policy Group” (PPG), do ndihmojë Berishën mbi baza krejtësisht vullnetare pa përfshirë asnjë pagesë apo detyrim direkt ose indirekt.
Drejtuesi i kompanisë lobiste amerikane PPG është Charles R. Black Jr., ai rezulton se ka punuar këshilltar në fushata elektorale për disa ish-presidentë amerikanë, duke nisur me Reganin, Bushët, kandidatin McCain etj.
Këto të dhëna sugjerojnë se lobisti i zgjedhur nga Berisha ka takate në linjën e vjetër republikanëve duke nisur që me Reganin.
Charlie R. Black Jr. ka patur më herët dhe një kompani lobimi në ortakëri me Paul Manafort, ish bashkëpunëtor i Donald Trump, hetimi i të cilit bëri bujë në SHBA në kuadër të dyshimeve për influencë ruse.
“Kongresi amerikan merr rregullisht raporte nga Departamenti i Shtetit për motivet mbi të cilat një zyrtar i huaj shpallet non-grata, por në rastin e Berishës motivet janë të panjohura”, – ka deklaruar Black Jr. në një deklaratë ku i bën thirrje ligjëvënësve amerikanë të zbardhin motivet e shpalljes non-grata të Berishës.
Më tej ai shton në deklaratë se:
“Diku mund të gjendet ndonjë dosje apo informacion i klasifikuar mbi Berishën që hedh poshtë këtë që unë po them, unë nuk e di çfarë ka konkretisht, ndaj dhe po bëj përpjekje për të angazhuar njerëz të përgjegjshëm që të hedhin dritë mbi këtë dosje.”
Më tej në deklaratën e tij mbi këtë angazhim Lobisti Charlie R. Black Jr. thotë se ai e ka njohur Berishën për shkak se kompania e tij ka punuar me qeverinë shqiptare kur Berisha drejtonte vendin.
Lobisti theksoi se Berisha ka luajtur rol në rreshtimin e Shqipërisë në aleancën e NATO-s dhe përpjekjet për futjen e Shqipërisë në BE, duke shtuar se “zërat se Berisha është nën ndikimin e Kremlinit më duken pa lidhje me çfarë unë kam kuptuar kur e kam njohur atë njeri (Berishën) dikur”.
Baza e angazhimit të lobistit amerikan do të jetë dhe verifikimi nëse ka patur ndonjë lidhje mes aktivitetit të ish-drejtorit të FBI-së Charles McGonigal dhe shpalljes non-grata të Berishës, ndonëse nga dosjet penale e prokurorëve amerikanë në Washington dhe New York, McGonigal rezulton se ka luajtur rol në hetimin e një kontrate lobimi të Lulzim Bashës, dhe të paktën në dosjet penale në fjalë Berisha nuk rezulton askund./ Hashtag.al