Kreu në detyrë i PD, Enkelejd Alibeaj ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta ndaj Sali Berishës dhe aleatit të tij Ilir Meta. Këta të fundit janë bërë bashkë në zgjedhje dhe sipas Alibeajt, ajo që i bashkon ata është halli.
Sipas tij, Rama, Meta e Berisha janë bashkë për shkak se kanë frikë nga drejtësia e re. “Meraku i treshes është se kush do shkojë në SPAK. Fushata e tyre është se kush e frekuenton SPAK. Aleanca e hallexhinjve kanë problem me drejtësinë dhe prandaj bëjnë këtë katrahurë. Ndajnë interesat e oligarkisë, të oligarkëve që paradite janë te tryeza e Ramës dhe pasdite te tryeza e palës tjetër”, tha Alibeaj në një intervistë.
Më tej ai ka sulmuar drejtpërdrejt Berishën. Duke u ndalur te sulmi i selisë më 8 janar, Alibeaj e tha hapur se Berisha tentoi të marrë PD për interesat e tij penale dhe nga frika e drejtësisë. Sipas tij, Berisha mund të përballet me SPAK për bëmat që ka bërë.
“E do PD si mburojë për hetimet që mund t’i vijnë për bëmat që ka bërë. Nuk mund të pranohet që në PD të jetë një person i dizenjuar si “non grata”. PD mund të vijë në qeverisje nëse kupton se përse për 10 vite nuk erdhi dot. Se përse në 2013 ra nga qeverisja”, vijoi ai.
Alibeaj u shpreh se hallin e Berishë nuk do lejojë ta mbajnë mbi shpinë demokratët. Sipas tij, më 8 janar Berishe tregoi marrëzinë e tij dhe nuk ka kthim pas. Alibeaj këmbëngul se Berisha kërkon imunitet.
“Interesi kryesor është të bëjmë shërbimin maksimal ndaj demokratëve. Nuk është halli i tyre ajo që i ka ndodhur është i tiji personale. Hallin e tij personal e hodhi në kurrizin e demokratëve.
Shkaku i gjithçkaje ka qenë vetëm i një njeriu që donte të zhbënte ADN e partisë. Të shohësh sot zgjedhjen që ka bërë që për shkak të imunitetit politik që kërkon të marrë duke shpërdoruar edhe dëshpërimin e njerëzve, e ti çosh në një formacion tjetër të majtë si PL, e duke u shkëputur nga vlerat e PD, është një gabim i madh edhe ideologjik. Zgjidhja e vetme, është qëndrimi fort tek e drejta e vërteta dhe PD. E di që kjo ka kosto”, tha ai.