Pasi humbi vulën, logon dhe emrin në fletën e votimit, Sali Berisha humb së fundmi edhe mundësinë që në cdo tavolinë të numërimit të votave të ketë një përfaqësues së tij.
Grupet e numërimit janë me 4 anëtarë: 2 mazhorancë, e 2 opozitë. Për shumicën, dy numërues do ti ketë Partia Socialiste, ndërsa për opozitën numëruesi i parë shkon për PD-në zyrtare të Alibeajt.
Sherri në KQZ ishte për numëruesin e 4-t dhe të fundit. Celibashi referuar ligjit futi në shortin e ndarjes PDIU-në dhe LSI-në dy partitë opozitare, duke propozuar që në gjysmat të ketë njëra numërues, e në gjysmat tjetra. Por Partia e Lirisë, e kundërshtoi vendimin me argumentin se PDIU nuk është opozitë, por pranë qeverisë.
Përfaqësuesi i PDIU-së: Ne jemi në opozitë, kemi votuar pro qeverisë për marrëveshjet me amerikanët
Altin Kaziaj nga Koalicioni BF: Vetëm ne jemi në garë në gjithë Shqipërinë, PDIU jo. Votat e kujt do të mbrojnë numëruesit e saj?
Përfaqësuesi i PDIU: Do mbrojmë votat e Lajla Përnaskës
PDIU: Po ju në Himarë do numëroni votat e kandidatit që ka marrë gjak shqiptarësh?
Celibashi: Ky merak i juaji nuk është fort i justifikuar. Numëruesit kanë qenë përgjithësisht korrekt. Ne kemi rinumëruar dhe nuk ka pasur abuzime madhore.
Në këtë mënyrë, Koalicioni Bashkë fitojmë do të ketë një numërues vetëm në gjysmat e tavolinave në mbarë vendin, pikërisht atë që ju dha Partisë së Lirisë. I vetmi që paramisht duhet ta mbrojë interesin e votës opozitare, është numëruesi i Alibeajt i cili do të jetë në cdo grup numërimi.