Fatos Hoxha

Ka disa kohë që kreut të foltores i qëllon në debate të thërrasë me piskamë “jam Sali Berisha unë, o budallenj!”, sa herë nervozohet ngaqë nuk e marrin seriozisht, ose kur e sheh veten të strukur në qoshe nga të vërtetat që i djegin.

Me gazetarët e oborrit e përdor si kapak për të mbyllur temën.

Me gazetarët kritikë e përdor për të rimarrë terren, sa herë që e sheh veten të zhveshur nga argumentet.

Debatet janë shtuar. Por për Berishën janë shtuar edhe veshtirësitë.

Jo të gjithë e marrin seriozisht, jo të gjithë kanë frikë prej tij.

“Jam Sali Berisha” po e dëgjojmë gjithmonë e më shpesh.

Nga përsëritja, piskama po shndërrohet në një lloj “trade mark” për doktorin e foltores, saqë është shumë e vështirë që të mos bëjë përshtypje.

Pyetja e rëndësishme është “sa mund t’a mbajë në këmbë Berishën, sa mund t’a çojë përpara atë ky “trade mark”?

Kur Berisha thotë fjalinë “jam Sali Berisha unë, o budallenj!” mendon se shqiptarët e përkthejnë jam trim, sypatrembur, i vërtetë, heroik, i papërkulur, i pamposhtur, i pathyeshëm, i pandikueshëm, i pakorruptueshëm, i pableshëm.

Në 30 vjet pluralizëm me emrin e tij janë lidhur aq shumë ngjarje, histori, konflikte, përpjasje, ngadhënjime, suksese, dështime, zjarrvënie, zënka, fate, pirueta, nënshtrime, pajtime, fyerje, shpifje, poshtërsi, poshtërime, aq shumë vrer dhe ndyrësi, saqë edhe Berisha vetë duhet t’a kishte kuptuar, se emri i tij sot nuk është “trade mark” që ecën.

Në 30 vjet pluralizëm Berisha është përfolur aq shumë, është futur në kundërthënie dhe në qorrsokaqe aq shumë, ka gënjeshtruar dhe përgënjeshtruar aq shumë, ka dalë zbuluar dhe zënë gafil aq shumë, saqë sot pa frikë është politikani më i pabesueshëm, ndër të gjithë politikanët që ka prodhuar ky vend, politikanë aktivë apo që kanë dalë prej kohësh nga fusha, të gjallë apo të vdekur. Sot Berisha mund të cilësohet, pa pasur frikë se mund të gabosh, Baba i Rrenës në politikën shqiptare.

Sot me piskamën “jam Sali Berisha unë, o budallenj!” njerëzit lidhin më kollaj, shumë kollaj, dy qeverisje të dështuara dhe me pasoja dërrmuese për shtetin ligjor dhe demokracinë, lidhin korrupsionin e frikshëm familjar, shkollën më të shëmtuar në Ballkan të grabitjes së shtetit, pa skrupuj, pa frikë dhe as pengesa, lidhin karakterin e zi, hipokrit, të pabesë, gënjeshtar, meskin, hakmarrës, inatçor, pa din e iman që ngre kokën sa herë përballet me vlera dhe personalitete, lidhin mungesën e moralit e të idealeve, mungesën e nderit, ndershmërisë, përkushtimit ndaj shoqërores dhe respektit ndaj tjetrit, mungesën e etikës dhe edukatës.

Sot me këtë piskamë njerëzit lidhin më shumë antimodelin, antipolitikanin, antidemokratin, antihumanin, antisocialin.

Berishës sot nuk i leverdis më “trade mark” “jam Sali Berisha, o budallenj!”. Mallin që fshihet pas këtij emri nuk ia blen më njeri, nuk e do më njeri.

Shqiptarët nuk janë budallenj.