Zgjerimi i depozitave në lekë gjatë vitit të shkuar u frenua. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në vitin 2022 depozitat në monedhën vendase u rritën me vetëm 3.9% krahasuar me 2021, ndryshe nga depozitat në euro, rritja e të cilave ishte në vlerën e 15.7% më shumë se një vit më parë. Një nga arsyet që ka ndikuar fort në këtë frenim të kursimeve në lekë, sipas Bankës Qendrore, është interesi në rritje i individëve për të investuar në bono thesari dhe obligacione.
Në fund të vitit të shkuar, interesi për bonot 12-mujore arriti në 5.8%, një nivel që nuk prekej prej vitesh dhe që është dukshëm më i lartë se interesi që ofrojnë depozitat bankare, i cili mesatarisht është 2%.
Nga ana tjetër, zgjerimi më i shpejtë i depozitave në valutë shpjegohet nga ana e Bankës së Shqipërisë me ecurinë e mirë të turizmit, por edhe me alternativat e kufizuara që ka për investimet në monedhë të huaj.Gjithashtu, gjatë vitit të shkuar u vu re një rikthim i vendosjes së kursimeve në depozita me afat mbi dy vjet, në kërkim të kthimeve më të larta.