Gazetari Bledi Strakosha ka ndarë sot në studion e “Rudina” në Tv Klan foto nga shtëpia e tij e mbushur me orendi në çdo cep. Gjëja më e dashur për të brenda shtëpisë, janë gërshetat e mamasë të varura në mur.

Bledi thotë se mamasë së tij ja prenë flokët për ta çuar në zbor kur ajo ishte gjimnaziste dhe se që atëherë ajo nuk i ka rritur më. Por, teksa ndante këtë histori të veçantë, gazetari u përlot për shkak se e ëma e tij po kalon një moment të vështirë me shëndetin.

Bledi Strakosha: Kjo është gjëja më e dashur që kam në shtëpi dhe është vërtet shumë e madhe dhe nuk pata mundësi ta sjell. Këto janë gërshetat e sime mëje, kur ja kanë prerë për të shkuar në zbor, ajo ka qarë sepse i ka pasur flokët gjithmonë të gjata.

-Pra e detyruan t’i priste?

Bledi Strakosha: E detyruan që t’i priste dhe e ëma e vet ja ka ruajtur gërshetat, kështu siç i kishte pasi ia prenë. Mami nuk i ka rritur më kurrë flokët që atëherë.

-Në çfarë moshe ka qenë?

Bledi Strakosha: Besoj në periudhën e shkollës së mesme. Shoqërohet bashkë me foton kur i ka pasur flokët e gjatë dhe kjo është gjëja që dua më shumë.

-U emocionua Bledi. Kjo është një histori e bukur për ta treguar sot. Nuk ka dashur t’i rrisë më pas?

Bledi Strakosha: Faktikisht nuk më prekën gërshetat e mamasë, por një moment i vështirë që ajo po kalon me shëndetin.

-Aktualisht tani?

Bledi Strakosha: Po, dhe nuk e di…Ndonjëherë ndjej pengje lidhur me prindërit e mi dhe kam përshtypjen çdo fëmijë ka pengje. Se sa shumë rendin pas punës, parasë dhe harrojmë t’i marrim në telefon për t’i pyetur si u gdhitë. Unë ju kërkoj ndjesë, nëse po më ndjekin në këto momente. Koha që ikën nuk kthehet më, por të paktën për atë që ka mbetur të përpiqemi të jemi sa më pranë prindërve dhe kjo është një nga vlerat e shoqërisë tonë. Sa më afër njëri-tjetrit, jo vetëm kur kemi nevojë, por gjithmonë.