Kryeministri i Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Fadil Novalliç u dënua me katër vjet burg për korrupsion në rastin e blerjes së respiratorëve kinezë gjatë pandemisë COVID-19.
Gjykata në Bosnje e Hercegovinë shpalli dënimin e shkallës së parë kundër Novalliçit më 5 prill, ashtu si edhe kundër të të pandehurve të tjerë në këtë rast: kreut të shkarkuar të Mbrojtjes Civile të Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Fahrudin Sollak, dhe pronarit të kompanisë bujqësore “Srebrena Malina”, Fikret Hoxhiç.
Sollak u dënua me gjashtë vjet burgim dhe Hoxhiç me pesë. Kompania “Srebrena Malina” gjithashtu do të duhet të paguajë kompensim në vlerë prej 100 mijë eurosh.
Novalliç nuk u paraqit në seancën e dhënies së dënimit.
Ai është akuzuar se ka hartuar një plan për të përdorur para nga buxheti i vitit 2020 për blerjen e mjeteve dhe pajisjeve për të luftuar coronavirusin.
Ai është bashkuar me Sollakun dhe Hoxhiçin “për të siguruar përfitime materiale” që më pas do t’i ndanin mes tyre.