Federata Shqiptare e Basketbollit ka dënuar aktetet e shëmtuara, si dhe dhunën që ka ndodhur në përfundim të ndeshjes gjysmëfinale në Play-off për titull kampion, Partizani – Tirana për femra.
Katër lojtare të të dy skuadrave, pikërisht Banister dhe Eduars të Partizanit, si dhe Dishnica e Qosja të Tiranës janë përfshirë në një zënkë mes tyre, që ka sjellë dhe hyrjen e tifozëve në parket.

Për rrjedhojë gjithçka më pas ka kaluar në Komisionin e Disiplinës, ndërsa Partizani si ekip pritës është gjobitur me 10.000 lekë të rinj për hyrjen e spektatorëve në fushën e lojës para, gjatë dhe pas ndeshjes, si dhe në shumë 100.000 lekë të rinj për ushtrim dhune nga spektatorët ndaj pjesëtarëve të ekipit të Tiranës, lojtarë dhe trajnerë.

Ndërkohë për sjellje josportive të lojtarëve e trajnerëve, apo dhe personave të tjerë, të cilët qëndrojnë në stol, që nuk janë ndëshkuar nga gjyqtarët, por janë referuar nga vëzhguesi, Banister, Eduards, Dishnica dhe Qosja gjobiten me 10.000 lekë secila. Për ushtrimin e dhunës, apo sulmin fizik ndaj kundërshtarëve, Banister, Eduards dhe Dishnica gjobiten me 50.000 lekë të rinj.

Sakaq Komisioni i Disiplinës në mungesë të pamjeve filmike nuk ka marrë vendim përjashtimi për lojtaret, por tërheq vëmendjen për marrjen e masave për zhvillimin normal të ndeshjes. Të dielën nis finalja e titullit kampion në basketboll për femra, Flamurtari – Partizani.