“Jam shumë e indinjuar nga rasti i dhunës së ushtruar mbi një mësuese në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj”, është ky reagimi i Ministres së Arsimit, Evis Kushit për dhunën e ushtruar ndaj një arsimtareje nga familjarja e një nxënëseje pas një konflikti për motive të dobëta.
Ministrja Kushi shpreh solidaritetin me mësuesen dhe i bën thirrje prindërve dhe gjithë shoqërisë që ta trajtojnë figurën e mësuesit me respektin dhe dinjitetin që meriton. Ministrja thekson se nuk do të tolerohet asnjë rast dhune as ndaj nxënësve dhe as ndaj mësuesve.
“Pavarësisht arsyeve që kanë shkaktuar këtë ngjarje, dhuna nuk është asnjëherë mënyra e duhur për zgjidhjen e konflikteve. Në institucionet tona arsimore funksionojnë të gjitha strukturat e nevojshme për menaxhimin dhe zgjidhjen e situatave problematike.
Edhe pse është një rast i izoluar, për të cilin u morën masa të menjëhershme që ditën e djeshme, unë shpreh solidaritetin dhe u bëj thirrje nxënësve, prindërve dhe gjithë shoqërisë që ta trajtojmë mësuesin me respektin dhe dinjitetin që meriton.
Ne nuk do të tolerojmë asnjë rast dhune, as ndaj nxënësve e as ndaj mësuesve, atyre që edukojnë me dashuri fëmijët tanë dhe përgatisin me përgjegjshmëri brezat e ardhshëm.
Dua të garantoj të gjithë prindërit që ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe do të marrim të gjitha masat që shkolla të jetë gjithmonë një mjedis i sigurt, i ngrohtë dhe i shëndetshëm për edukimin dhe mirëqenien e nxënësve tanë”, shkruan ministrja Kushi.
Policia njoftoi ditën e djeshme se familjarja e nxënëses, 41-vjeçarja S.K. është proceduar penalisht.
“Memaliaj/ Dhunoi fizikisht një shtetase (mësuese), procedohet penalisht 41-vjeçarja. Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen S. K., 41 vjeçe, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”. Ditën e sotme, në ambientet e shkollës 9-vjeçare Memaliaj, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, 41-vjeçarja (familjare e një nxënëseje) ka dhunuar fizikisht një mësuese në këtë shkollë. Materialet procedurale në ngarkim të shtetases S. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.