Dihet që shëndeti i zemrës kalon edhe nga pjata. Ushqime të tilla si perimet me gjethe jeshile, drithërat, peshku, arrat, vajrat vegjetale, frutat e plota, mishi pa dhjamë, fasulet dhe bishtajore janë disa bomba ushqimore të domosdoshme për shëndetin tonë natyral kardiovaskular të përfshira në dietat si dieta mesdhetare. Adoptimi i një diete që mbron zemrën gjatë viteve është çelësi për të pasur një jetëgjatësi me shëndet të plotë. Këtu janë pesë ushqime që mund t’ju ndihmojnë:
1. Vaj ulliri
Vaji i ullirit përmban përqendrimin më të lartë të acideve yndyrore të pangopura, aleatë të zemrës suaj që ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq ndërsa rrisin kolesterolin e mirë. Nuk duhet shumë. Gjysmë lugë në ditë bën mrekulli!
2. Kuinoa
Kuinoa nga kategoria e pseudo drithërave, fara me lëndë ushqyese të ngjashme me drithërat, ofron pasuri fibrash dhe antioksidantësh, si dhe nëntë aminoacide thelbësore. Fibrat mund të ulin nivelet e kolesterolit dhe presionit të gjakut, ndërsa antioksidantët dhe aminoacidet ndihmojnë në mbrojtjen dhe riparimin e qelizave duke ulur rrezikun e sëmundjeve të ndryshme.
3. Fasule të zeza
Fasulet e zeza janë të pasura me fibra që ndihmojnë në mbajtjen e kolesterolit në nivele të shëndetshme dhe zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
4. Arra
Arrat janë të pasura me acid α-linolenik, i cili shndërrohet në disa lloje të acideve yndyrore omega-3 në trup. Acidet yndyrore omega-3 mbrojnë zemrën në shumë mënyra, si për shembull duke ulur trigliceridet në trupin tuaj. Sipas një studimi të botuar së fundmi në gazetën e Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë, konsumimi i rregullt i arrave për dy vjet reduktoi inflamacionin e lidhur me sëmundjen koronare të zemrës. Por kini kujdes! Meqë janë të pasura me kalori, duhet ta kufizoni porcionin në më pak se një filxhan në javë.
5. Salmoni
Përveç mbrojtësve të zemrës, acideve yndyrore omega-3, salmoni përmban edhe shumë vitaminë B6, e cila ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit të homocisteinës, një aminoacid që në nivele të ngritura shkakton sindromën akute koronare, sëmundjet koronare të zemrës dhe ato tromboembolike.