Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është zyrtarisht i pandehur për çështjen e Gërdecit dhe ditën e sotme nis gjyqi ndaj tij. Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca e parë gjyqësore ndaj Mediut. GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar, ndërkohë Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak. Në sallë janë të pranishëm edhe familja Durda, e cila humbi djalin e saj 7-vjeçar në shpërthimin famëkeq të Gërdecit, që nuk u pranua nga GJKKO si palë në gjykim.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.

Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, ‘SAC’ dhe ‘Albademil’. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Argumenti kryesor mbrojtjes i Mediut është se sipas tij, vepra penale për të cilën akuzohet, shpërdorimi i detyrës, është parashkruar sipas nenit 66 të Kodit Penal, pasi kanë kaluar më shumë se sa 10 vjet nga koha e kryerjes së veprës penale deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?
Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një “fabrikë” për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse. Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Vetë Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, që në zgjedhjet e 25 prillit u zgjodh deputet si pjesë e listave të Partisë Demokratike, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në çështjen “Gërdeci”.