Gazetari dhe analisti i njohur, Frrok Çupi ka zbuluar prapaskena të bujshme për politikën shqiptare. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Çupi është shprehur se dosja ruse ku implikohet çifti Meta-Kryemadhi do të nxjerrë zbuluar të tjera ngjarje të rënda të kësaj familjeje që vazhdon të punojë kundër interesave të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, analisti ka treguar dhe fakte tronditëse për dosjen “non grata” të Sali Berishës.
Sipas Çupit, zonja Yuri Kim e bëri përcaktimin e Berishës si ‘zjarrvënës’ vetëm një javë para vizitës speciale të të dërguarit të SHBA, Escobar. Analisti i njohur tha se Berisha ka rrënuar paqen në vend, ka bashkëpunuar me Millosheviçin e fajkonjtë e tij, ka bërë grushte shteti, ka tentuar sulmin kundër ambasadës së SHBA, ka djegur të gjallë 26 vetë vetëm për interes të financave të tij, ka vrarë aktivistët e demokracisë mu para zyrës së tij dhe sipas tij këto janë pjesë e dosjes.
-Zoti Çupi, bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi është vënë në qendër të akuzave dhe debatit mediatik, pasi rezulton se është përfshirë në pazare dhe afera me oligarkë rusë të sanksionuar nga SHBA. Vetë zonja Kryemadhi i mohon akuzat dhe akuzon Ramën, e madje izraelitet se i kanë bërë këtë proçkë dhe sajuar këtë histori. Tani pyetja ime është a është e lidhur Kryemadhi dhe Meta me rusët? Pse ky afrimitet me Moskën?
Këta po përbetohen duke e mohuar faktin; por kjo nuk i bën të pafajshëm. Po përbetohen edhe që ta bëjnë veten si ‘njerëz të popullit’ që nuk i kanë bërë dëm interesave kombëtare. Jo, nuk mund të jetë kështu. Këta janë familja që kanë kryesuar shtetin, të paktën në dy dekada që nga viti 1992. Përgjegjësia e tyre në lidhjen e fshehtë me oligarkët rusë afër Vladimir Putin, ka peshë shumë të rëndë. Nuk ka rëndësi sasia e parave; rëndësi ka se paratë ruse janë dhënë për të kryer shërbime ndaj agjenturave të një vendi që nuk është miqësor me vendin tonë dhe që është armiqësor me Perëndimin ku ne jemi të radhitur.
Pak nga pak, sipas procedurave të gjata që kanë ‘zbardhjet’ e veprave të agjentëve të Kremlinit apo një vendi tjetër, do të shfaqen edhe veprat e kryera nga ‘familja kulmore’ e shtetit Meta kundër interesave të vendit. Mund të jetë e lidhur me sabotimin e Reformës në Drejtësi, ose edhe me minimin e urave apo të digave të hidrocentraleve… Atëherë do të shikojmë nëse kanë shërbyer si sabotues të zhvillimit të vendit, kanë shërbyer si transportues të sovranitetit të vendit drejt Moskës; kanë shërbyer si agjentë kundër Perëndimit në favor të Rusisë?…, apo çfarë. Por sot për sot kemi veprën e ‘kulluar’ kriminale të përfitimeve financiare nga një shtet jo miqësor me vendin, duke qenë në postet e lartë politikë President, Kryetar Kuvendi, nën kryeministër, ministër dhe dy deputetë…
Sa vite burgim bëjnë gjithë këto vepra armiqësore të marra së bashku? Kur të vijë puna që të zbardhet, atëherë do të jemi të qartë se cila është vepra e kryer kundër NATO-s, kundër Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian… Mendoni sa keq ndihemi ne qytetarët shqiptarë kur mendojmë se presidentin, kryetarin e Parlamentit, ministrin e deputetin i paskemi pasur punëtorë të tjetrit. Sa për akuzat kundër ‘izraelitëve të Ramës’, kjo është pika më e dobët e zinxhirit të veprës së tyre.
Këta e gjejnë fajtorin jashtë vetes dhe jashtë vendit, madje larg. Edhe Sali Berisha e gjeti fajtorine veprës së tij kriminale ‘degë më degë’ nëpër botë: Një herë te sekretari Blinken, një herë te presidenti Biden, një herë te FBI, një herë te Soros dhe më në fund te avokati francez. E njëjta ka ndodhur edhe me Haxhi Qamilin, me Esat Toptanin… I pari akuzonte serbët, ndërsa i dyti e varte ‘pushkën’ në kërrabën e Parisit. Por vini re një gjë: Edhe Saliu e Monika fajësojnë Amerikën dhe aleatët e saj. Kjo ka rëndesë, dhe kjo lidhet edhe një herë me pagesa ruse, iraniane apo nga shteti Islamik.
-A duhet SPAK të nisë hetimet për deputeten e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi?
Ka disa gjëra për të cilat SPAK ‘të lë kokën në dorë’ sepse nuk mund ta fajësosh. Për shembull, janë dosjet me veprat e kaluara, dosjet e mbyllura me procedurë, vitet kur këta shkaktuan tmerre si viti 1997 e 98, që quhen ‘të largëta’. Por në rastin tonë nuk kemi të bëjmë me epokën e kaluar. Në rastin e Monikës, Ilirit e Saliut kemi të bëjmë edhe me veprën penale të ditës. Kjo ndodhi sot, sot u zbuluan pagesat e Monikës; sot u zbuluan shumat e majme për sallonete bukurisë nëpër botë; sot foli gruaja e Kastriotit mbi CEZ dhe 600 milionë euro të grabitura nga arka e shtetit.
Sot po ndodh që Berisha del rrugëve e bën thirrje për ‘revolucion’; sot e paguan shpërblimin e majmë për militantët që të mblidhen andej- këndej; sot e pushton me dhunë zyrën e PD që është pasuri publike… Atëherë pse SPAK nuk vepron ‘sot pra, sot!’, në flagrancë? Ky është problemi i SPAK, ky tani duket si një qenie që ka humbur gjymtyrët për punën e ditës, ose gjymtyrët e flagrancës. Qenia nuk funksionon pa këta gjymtyrë.
-Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim këtë javë gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” iu bëri thirrje shqiptarëve të distancohen nga Sali Berisha dhe të mos e votojnë atë, pasi është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje, zonja Kim akuzoi Berishën se është përfshirë ne korrupsion domethënës dhe e krahasoi ate me një zjarrvënës që i ka venë zjarrin Shqipërisë. Keni një koment?
Do të doja të flisja me ata njerëz që mbështeten te Berisha dhe i kërkojnë Amerikës: “Hë, mo! Ku i ke faktet ndaj Berishës?”. E shikoni se si u zhvillua shkallë- shkallë akuza? Fillimisht u tha ‘për korrupsion tëqenësishëm’, dhe njerëzit e Berishës thanë se ‘jooo, ky nuk vjedh!’. Doli se nuk ishte thjesht vjedhje, edhe pse Berisha është kapur në vjedhje qëkur u krijua PD; doli se ishte korrupsion që minon shtetin e demokracisë. E shikoni si po e minon demokracinë përditë Berisha?…
U tha se Berisha ka punuar si ‘patriot’; në fakt ka rrënuar paqen në vend, ka bashkëpunuar me Millosheviçin e fajkonjtë e tij, ka bërë grushte shteti, ka tentuar sulmin kundër ambasadës së SHBA, ka djegur të gjallë 26 vetë vetëm për interes të financave të tij, ka vrarë aktivistët e demokracisë mu para zyrës së tij… Kohë më parë është përmendur edhe si faktor që ka cenuar sigurinë e SHBA me korrupsionin e tij… Tani akuza është ngjitur në shkallën e ‘Zjarrvënësit’, njësoj si të damkosurit e historisë së lashtë.
Sali Berisha është zjarrvënësi i Shqipërisë dhe i sigurisë në rajon e më tej. Këtë doja t’u thoja militantëve të Berishës që kërkojnë ‘fakte’. Zonja Kim e bëri përcaktimin e Berishës si ‘zjarrvënës’ vetëm një javë para vizitës speciale të të dërguarit të SHBA, Escobar. Të shikojmë si do të zhvillohet ‘teorema’ me ardhjen e të dërguarit të posaçëm… Berisha nuk mund të lejohet më si një minë nëpër këmbët e shqiptarëve dhe të aleatëve.
– Si ju duket bashkëpunimi Meta-Berisha. Pse ata janë bërë bashkë dhe a do kenë sukses me 14 maj, siç premtojnë dhe përbetohen çdo ditë?
Nga përbetimi i tyre nuk varet asgjë, duket vetëm hija e humbjes së përjetshme. Të fitojnë këta? Duhet të shembet principi i Qytetërimit Perëndimor; të mos jenë më as Amerika as Europa; të fshihet kujtesa e shqiptarëve; do të duhej që e Drejta të quhet e pa drejtë, dhe e kundërta… Atëherë fitojnë këta.
Po a bëhen këto gjëra? Të paktën edhe disa mijëra vjet nuk bëhen. Paniku i bën të mbajnë rreth disa njerëz të mashtruar. Po si mund të ketë kandidatë apo këshilltarë një ‘parti’që nuk është parti, që nuk e njeh ligji, nuke pranon KQZ, nuk e pranon populli?… Çudi! Këta thonë se ‘popull janë edhe këta që rrinë rreth e rrotull’. Njëfarë populli kishte edhe Haxhi Qamili para 110 vjetësh; po ç’u bë?! Nuk mund të kthehet kundër Perëndimit orientimi i shqiptarëve; e pamundur