Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka bërë thirrje për volum më të lartë të punës në gjykimin e çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë të cilat në vitin 2019 arrinin deri në 35 mijë të tilla. Ndërsa që prej vitit 2021 e deri më tani u është dhënë zgjidhje rreth 5200 çështjeve.
“Në vitin 2019, Gjykata e Lartë kishte vetëm një gjyqtar nga 19 vende. Sot janë 16 anëtarë me vetëm tre vende të lira. Në korrik 2020, Gjykata e Lartë kishte rreth 35,000 çështje të prapambetura. Që nga prilli 2021, projekti për uljen e çështjeve i financuar nga SHBA ka përpunuar mbi 8,200 çështje të mbetura dhe Gjykata e Lartë iu ka dhënë zgjidhje 5,200 prej tyre”-thuhet në postimin e ambasadës.
Sipas përfaqësuesve amerikanë në Shqipëri, ky numër çështjesh të zgjidhura nuk mjafton duke shtuar se duhet bërë më shumë për të pakësuar çështjet e tjera të prapambetura.
“Më shumë duhet bërë. SHBA do të vazhdojë të mbështesë Këshillin e Lartë Gjyqësor teksa ai plotëson vendet vakante të mbetura në Gjykatën e Lartë dhe do të mbështesë përpjekjet e mëdha për të pakësuar cështjet e prapambetura. Shqiptarët meritojnë drejtësi të shpejtë, të vërtetë”- theksohet në postimin e ambasadës së SHBA.