Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Librit. Festa e veçantë që ka në vëmendje dijen, e ka origjinën e në Spanjë, më saktë në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale në këtë ditë të shënuar, presidenti Bajram Begaj ka apeluar për kthimin e vëmendjes te libri shqip. Ai po ashtu ka bërë thirrje që të mbështeten të gjithë ata që kontribuojnë që gjuha shqipe të mbrohet e pasurohet.
“Të mbështesim dhe të motivojmë shkrimtarët, përkthyesit, botuesit, studiuesit, lexuesit, të gjithë ata që bëjnë të mundur që trashëgimia më e madhe identitare e jona, gjuha shqipe, të mbrohet e të pasurohet çdo ditë e më shumë!”, ka shkruar Begaj.
Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të drejtave autoriale që është përzgjedhur të jetë 23 prilli, është një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore. Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Servantes në Spanjë. Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit, duke inkurajuar të gjithë e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit.