Nga Mero Baze/

Sali Berisha ka shpërndarë spotet e një “letre të hapur” për shqiptarët, ku ilustrimet kryesore të saj janë me vizitat në SHBA, takimet me zyrtarë amerikanë dhe përurimin e rrugës së Kombit ndërtuar nga një kompani zbatuese amerikane.

Të njëjtën gjë ka bërë dhe me lobistin e ri që ka angazhuar në Uashington, I cili po justifikon marrjen e lekëve nga Berisha me argumentin se ia ka qenë dikur pro amerikan.
Edhe pse e shikoj si gjë të mirë që po harxhon ca pare për lobistë, nuk e kuptojë pse mendon që do gënjej shqiptarët me të shkuarën e tij kur I ka pasur raportet e mira me SHBA kur aktualisht tani ai sulmon vet çdo ditë SHBA dhe zyrtarët amerikanë.

SHBA ka një dosje të hollësishme për Berishën, dhe natyrisht I ka në dosje dhe takimet e tij me zyrtarët amerikanë dikur. Madje nga ato takime ata kanë profilizuar atë si një lider që nuk funksion sipas parimeve amerikane, pasi me ata lider ai është përplasur për arrestimet politike në Shqipëri të liderit opozitës dhe disa veprimtarëve të pakicës greke, me ata lider është përplasur për zgjedhjet e 26 majit e më pas për situatën në vitin 1997, kur Shqipëria u dogj për shkak të tij.

Nuk ka ndonjë gjë që nuk dihet nga ato që janë publike. Ato që janë jopublike natyrisht janë sterrë për Berishën.

Por dhe sikur të ishin të bardha për të, tani jemi në situatën që SHBA zgjedh të të ketë mik apo jo dhe nuk zgjedh ti SHBA.

SHBA ka zgjedhur ta ketë Sali Berishën “person a non grata” bashkë me familjen e tij dhe kjo është e përjetshme. Kjo nuk regullohet as me lobistë në Uashington as me avokat në Francë dhe as revolucion në Shqipëri. Sic e tha Gabriel Escobar, i dërguari amerikan për Ballkanin, kjo nuk rregullohet as me rezultate elektorale.

Sali Berisha dhe familjarët e tij do vdesin si persona të padëshiruar nga SHBA si hajdut, si minues të demokracisë dhe shantazhues të sistemit të drejtësisë. Kjo nuk zhbëhet më.
Madje I vetmi justifikim për Berishën që shan çdo ditë SHBA dhe zyrtarët e saj është pikërisht se “I mbyturi nuk can kokë nga I laguri me ujë”. Dhe ai është I vdekur për SHBA kështu që nuk kanë çfarë ti bëjnë më shumë.

Ky dyzimi I tij që çdo ditë shan SHBA pastaj përpiqet të na bëj nostalgjikë me periudhën kur dilte foto me zyrtarë amerikanë që tani I quan hajdutë, ngjan me atë emisonin e dikurshëm të Pandi Lacos “Histori me zhurmes”, me personazhe të cilët donin të shpjegonin ndonjë keqkuptim nga jeta e tyre e ndëshkuar gjatë regjimit komunist.

Sali Berisha duhet të ndaj mendjen a është një luftetar antiamerikan sic kapardiset tribunave, apo një I mundur I penduar që kërkon mëshirë nga SHBA. Dhe kjo vlen vetëm për mbështetësit e tij që ta dinë nëse e kanë vërtet burrë udhëheqësin historik, apo një legen që ditën shan tribunave SHBA e natën u çon letra për t’ia falur.

Kjo nuk vlen për SHBA, pasi për SHBA , ai, gruaja, vajza dhe djali I tij janë thjesht hajdut që nuk duhet tu shkojë njeri pas. Vlen për ata që u shkojnë pas.