Të enjten në mbrëmje Kisha Ortodokse në të gjithë botën kremton të Premten e Madhe që sipas popullit quhet e Premte e Zezë. Në këtë ditë të së Premtes së Madhe, të krishterët kujtojnë pësimet e Krishtit: talljet, rrahjet me kamxhik, kurorën me gjemba, kryqëzimin, gozhdët, etjen, uthullën, heshtën, braktisjen dhe të gjitha sa duroi Krishti në Kryq.
Por në të njëjtën kohë, pësimi dhe vdekja e Krishtit në Kryq nuk është i ndarë nga Ngjallja. Madje edhe në këtë ditë të përuljes së thellë të Krishtit deri në vdekje kryqi, të krishterët shohin edhe zbulimin e lavdisë së Tij të përjetshme si Zoti i lavdisë me anë të fjalëve që vet Zoti tha: “Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t`i tërheq të gjithë tek unë.” “Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni. Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju.”
Himnet e Shërbesës së Mëngjesit të së Premtes, marrin një formë të veçantë me leximin e Dymbëdhjetë Ungjijve, pjesë të zgjedhura nga katër Ungjijtë që na informojnë për pësimet e Krishtit.
Mbasi lexohen gjashtë ungjijtë e parë, në kishë fiken të gjitha dritat, duke krijuar një ambient të zishëm, prifti që kryeson shërbesën mban një kryq të madh dhe me një litani e vë kryqin me Krishtin e kryqëzuar në qendër të kishës, duke kënduar himnin: “Sot varet mbi dru, ai që vari dhenë mbi ujërat. Me purpur të gënjeshtër vishet ai që veshi qiellin me re. Shuplaka duroi ai që çliroi Adamin në Jordan. Me perona u mbërthye Dhëndri i Kishës. Me shtizë u shpua biri i Virgjëreshës. I falemi pësimeve të tua o Krisht. Rrëfena dhe Ngjalljen tënde të lavdëruar”.
Pastaj besimtarët shkojnë dhe e i falen me heshtje ikonës së Krishtit të kryqëzuar, duke parë me sytë e tyre shprehjen më të madhe dhe unike të dashurisë së Perëndisë për njerëzit: “Sepse Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”
Krishti i kryqëzuar është shembull frymëzimi për përballimin e sfidave dhe padrejtësive. Po ashtu Kryqi i Krishtit është mburrja e fitores të së krishterëve kundrejt tre armiqve; djallit, botës edhe mëkatit.
Në mëngjesin e të Premtes së Madhe, pas Orëve të Mëdha, një nga priftërinjtë del nga dera veriore e Hierores dhe i afrohet Kryqit, që qëndron në mes të Kishës. Pastaj, duke e zbritur nga Kryqi figurën e Krishtit, ai e mbështjell atë me një copë të bardhë dhe e shtrin në Tryezën e Shenjtë. Priftërinjtë kështu improvizojnë zbritjen e trupit të Krishtit nga kryqi dhe varrimin nga Nikodhimi dhe Josifi Arimathiani, të cilët e morën trupin nga guvernatori Romak Ponti Pilat edhe e varrosën me të shpejtë në një varr të gërmuar në një shkëmb, sepse në mbrëmje festohej e shtuna e Pashkës Judaike.
Epitafi është një pëlhurë në të cilën është pikturuar ose qëndisur figura e Krishtit të vdekur. Kjo e mbajtur nga priftërinjtë, vendoset në një varr të improvizuar dhe të zbukuruar me lule në qendër të Kishës dhe pastaj nderohet nga të gjithë besimtarët. /A.S-Dritare.net