Ish—prokurorja Elisabeta Imeraj thotë se përzgjedhja e shtetasve të huaj për të realizuar vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin është bërë për të minimizuar gjurmët.
Në një intervistë në studion ne Klan News, ish-prokurorja Imeraj theksoi se përfshirja e autorëve të huaj në këtë ngjarje ka patur edhe kosto jo të vogël ekonomike.
“Bëhet fjalë për një plan të mirëmenduar. Porositësi ka patur një ide të qartë se si do realizohej ardhja e pasojës dhe cilët janë personat që do përfshinte. Në kushte normale, porositësi mund të kishte siguruar dhe vrasës brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Realizimi i një formati të tillë me shtetas të huaj të sjellë që andej para 2 muajsh, pra ka parapërgatitur zonën, terrenin dhe të gjitha me radhë, ka dashur ose më saktë qëllimi ka qenë jo vetëm i ardhjes së pasojës nëpërmjet këtyre autorëve, por edhe evitimit të gjetjes së gjurmëve.
Në idenë e porositësit, sipas mendimit tim, është për të bashkëpunuar ose për të gjetur autorë nga shtete të tjera lidhet me faktin që të evitojë ose minimizojë gjetjes së gjurmëve të veprës penale që kishte ndërmend të kryente dhe që realisht erdhi dhe ndodhi si pasojë. Marrja e shtetasve të huaj, sjellja e tyre këtu, akomodimi i tyre, krijimi i kushteve për njohjen me zonën, territorin, mbajtja e tyre kjo përkthehet edhe me kosto e cila është pjesë e planit të mirëmenduar”, deklaroi Imeraj.