Një 38-vjeçar është arrestuar në Kavajë, pasi kishte përshtatur banesën e marrë me qira si call center.
Mësohet se i riu Adrian Rrugeja në bashkëpunim me dy të tjerë ushtronin aktivitetin e call centeti në mënyrë të palicencuar dhe gjatë kontrollit të policisë brenda ambientit është gjetur dhe një sasi kanabisi.
Sakaq kanë nisur hetimet për të tre të rinjtë dhe në cilësinë e provës uniformat blu kanë sekuestruar 4 kompjutera.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Përshtatja”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kavajë. Kishin përshtatur një banesë të marrë me qira, si call center, vihet në pranga 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë. Sekuestrohen 4 kompjutera që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, që u gjetën në ambientet e kësaj banese. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Përshtatja”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Rr., 38 vjeç, banues në Kavajë dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. H., 24 vjeç, dhe D. B., 28 vjeç, të dy banues në Kavajë. Këta shtetas kishin përshtatur një banesë të marrë me qira në lagjen nr. 5, Kavajë, si call center, subjekt i cili ishte i palicencuar dhe me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente. Gjatë kontrollit në ambientet e kësaj banese u gjetën të instaluar 4 kompjutera që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme. Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 kompjuterat. Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.