Gabriel Escobar, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor vizitoi Shqipërinë dhe u takua edhe me liderët kryesorë, presidentin Begaj, kryeministrin Rama, kryetarin e PD-së Alibeaj dhe kryetarin e PL Ilir Meta.
Më pas ai ka dhënë një intervistë për Top Channel në emisionin Top Story me Grida Dumën. Zoti Escobar foli për arsyet e vizitës së tij në Shqipëri.
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Vizita ime këtu nuk është absolutisht e lidhur me zgjedhjet lokale. Është pjesë e konsultimeve të rregullta që kemi me aleatët e ngushtë. Dhe Shqipëria është një aleate e ngushtë. Më duhet të them se për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë Marrëveshje të re të Normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy partnerëve që nuk kanë pasur shumë besim. Ajo marrëveshje, e cila u bë e mundur nga Bashkimi Europian, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u mbështet pothuajse në çdo aspekt nga vendet e rajonit. Negociatat u zhvilluan në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen e tyre. Por ajo u mbështet edhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kroacisë dhe të tjerë në rajon. Dhe ne shohim një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në stabilitetin rajonal. Dhe kjo është e vërtetuar.
Escobar foli për marrëdhëniet mes dy vendeve duke thënë se amerikanët janë vendi më pro shqiptar në botë dhe u shpreh mbështetës ndaj nismës së Ballkanit të Hapur dhe pro integrimit europian të Shqipërisë.
Tema më e nxehtë aktualisht, zgjedhjet lokale ishin në fokus të intervistës që zoti Escobar dha për Top Channel.
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shiko, unë mendoj se të gjitha partitë politike kanë një detyrim ndaj njerëzve që të sigurohen që kandidatët të mos jenë të korruptuar, që ata të kenë në zemër interesat e njerëzve. Ne nuk jemi në gjendje të zgjedhim kandidatë apo anëtarë të partive politike. Marrëdhënia jonë me Shqipërinë është me popullin e Shqipërisë, jo me një parti dhe jo me një person. Pra, në këtë drejtim, kur pyet nëse do të ketë një reagim nga Shtetet e Bashkuara nëse partitë nuk janë të pastra, nëse kandidatët nuk i përmbushin standardet më të larta të antikorrupsionit dhe të gjitha standardet e tjera demokratike, reagimi duhet të vijë nga njerëzit, jo nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është një punë për popullin e Shqipërisë, jo për Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë që në fushën e betejës së garës elektorale ka dalë Sali Berisha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cilësojnë atë si përfaqësues të së shkuarës. Zoti Escobar përjashtoi çdo mundësi që të rishikohet statusi ‘non grata’ për Berishën.
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Para së gjithash, mendoj se pozicioni ynë për këtë individ të veçantë është shumë i qartë. Por unë do të thosha se nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tyre prej Departamentit të Shtetit sipas legjislacionit tonë. Po, thënë kjo, unë mendoj se Shqipëria ka një të ardhme vërtet të jashtëzakonshme dhe duhet të fokusohet tek e ardhmja. Dhe ka shumë njerëz që do të donin ta tërhiqnin atë në të shkuarën dhe unë nuk mendoj se ky është një vend ku Shqipëria dëshiron të shkojë.
Zoti Escobar thotë se i takon institucioneve të Shqipërisë të hetojnë korrupsionin dhe ta ndjekin penalisht kudo munden. Dhe kjo është arsyeja pse reforma në drejtësi është kaq e rëndësishme, sepse sipas tij nuk i takon Amerikës ta bëjë këtë punë në emër të popullit shqiptar.
Dhe çdo qeveri, qoftë kjo apo pasardhësja e saj, ka një detyrim ndaj njerëzve që të sigurojë që kjo të ndodhë. I dërguari amerikan për Ballkanin nuk komentoi çështjen McGonigal që është në hetim në Shtetet e Bashkuara, por foli për paratë ruse.
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: E vetmja gjë që është shumë e vërtetë është se Rusia ndërhyn në zgjedhjet demokratike në të gjithë Europën, jo vetëm këtu, por edhe në Europën Perëndimore, në Shtetet e Bashkuara gjithashtu. Dhe ka njerëz që janë të gatshëm të pranojnë paratë ruse në emër të çuarjes përpara të agjendës së Rusisë, e cila nuk është një agjendë pozitive për këtë pjesë të botës. Unë do të thosha thjesht se ne duhet të vazhdojmë ta diskutojmë këtë dhe të jemi shumë të qartë me njëri-tjetrin se cilat janë pritshmëritë dhe të ndajmë informacione, kur e shohim, atë çka Rusia po bën në këtë pjesë të botës, sepse ajo (Rusia) nuk ndan të njëjtat synime si Shtetet e Bashkuara dhe Europa për Ballkanin Perëndimor. Ne po përpiqemi të krijojmë përfshirje më të madhe. Ne po përpiqemi të krijojmë një rrugë që këto vende, përfshirë Shqipërinë, të bëhen anëtarë të organizatave transatlantike, përfshirë Bashkimin Europian. Rusia po bën pikërisht të kundërtën. Pra, ne jemi shumë skeptikë për çdo gjë që Rusia bën në sferën politike dhe ekonomike.
Gabriel Escobar ka mbrojtur ambasadoren Yuri Kim e cila ndodhet në një sulm personal nga i shpalluri ‘non grata’ Sali Berisha.
Escobar tha se ajo që po bën Ambasadorja amerikane është pikërisht ajo që Sekretari dëshiron të bëjë. “Nuk është diçka personale. Është çështje politikash. Mendoj se të gjithë duhet ta njohin këtë”, thotë ai.
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Unë mendoj se ekziston rreziku që ka njerëz që po përdorin ndjenjat anti-amerikane për përfitime personale politike, dhe kjo nuk e ndihmon interesin tonë strategjik apo tuajin. Ndaj, do të isha shumë, shumë dyshues për këdo që vë në lëvizje ose u jep shtysë linjave anti-amerikane, sepse gjithçka që kemi bërë, veçanërisht në dy vitet e fundit, ka qenë për të thelluar marrëdhëniet strategjike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Dhe më duhet të them se Shqipëria zë një pozicion shumë të privilegjuar në politikën tonë të jashtme. Jemi konsultuar me ju dhe keni qenë pjesë e pothuajse çdo ngjarjeje globale për shkak të partneritetit tuaj me Shtetet e Bashkuara. Dhe ne jemi ndihmuar për të çuar përpara vlerat dhe synimet tona në Europë prej partneritetit tonë me Shqipërinë, jo vetëm në NATO apo Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe në mënyrë dypalëshe. Pra, do të thosha se kushdo që predikon çfarëdo lloj anti-amerikanizmi, në fakt nuk ka parasysh interesat e Shqipërisë.